Shkup, 26 shkurt – Gjashtë persona prej të cilëve tre më rëndë janë lënduar në aksident që ndodhi dje rreth orës 17:55 në mbikalimin e lagjes së Shkupit, Dame Gruev.
Nga MPB informojnë se dje në orën 17:55 në rrugën “Luka Gerov” në Shkup ka ndodhur aksident mes automjetit motorik “Opel astra” me targa të Shkupit, të drejtuar nga D.T. (60) nga fshati Orman i Shkupit dhe automjeti motorik “Hjundai” me targa të Shkupit, të drejtuar nga K.K.(49) nga Shkupi.
“Pas përplasjes, shoferët D.T. dhe K.K. me automjetin e Ndihmës së shpejtë janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” ku u janë konstatuar lëndime të rënda trupore dhe janë mbajtur për shërim. Bashkëudhëtari i automjetit “Opel astra” A.T. është dërguar në Qendrën urgjente në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku u janë konstatuar lëndimet e rënda trupore dhe është mbajtur për shërim”, citohet në buletinin policor.
Me lëndime trupore në aksident kanë marrë edhe 56 vjeçari B.T. dhe një fëmijë 10 vjeçar të cilët ishin bashkëudhëtarë në automjetin “Opel astra”, si dhe bashkëudhëtarja 15 vjeçare në automjetin “Hjundi”. Pas ndihmës së dhënë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, ato janë lëshuar për shërim shtëpiak.
Kontroll në vendin e ngjarjes ka kryer ekipi i SPB-së Shkup.