Çdo gjë ndryshoi mbrëmjen e 18 shtatorit, kur fitorja ndaj Totenhemit erdhi në minutën e 92. Dhe vetëm tre ditë pas disfatës turpëruese kundër Parmës, Vecino i dha fitoren Interit në ndeshjen e dytë të fazës në grupe të Ligës së kampionëve.
Që atëherë, Interi i Spalletit duke se ka mësuar nga tronditja e fillimit të sezonit, duke marrë edhe gjashtë fitore radhazi në kampionat.
Këto triumfe kanë ardhur me pragmatizëm (ndaj Fiorentinës dhe SPAL), të tjerët “klinikisht” (ndaj Sampdorias dhe në derbin e Madoninës), ndërsa nuk kanë munguar edhe ato bindës në planin e lojës, si kundër Cagliarit dhe sidomos mbrëmë, në “Olimpico”, ndaj Lazios.
Kundër bardhekaltërve, në fakt, ndoshta pamë Interin më të mirë të këtij sezoni: të aftë për të shkatërruar një konkurrent direkt për një vend në Ligën e Kampionëve, veçanërisht në pjesën e parë, kur Lazio e pa veten më në vështirësi se kurrë, shkruan “Telesport”.
Spikati edhe Marcelo Brozovic, i cili, përveç golit ndaj Lazios, tregoi se është një katalizator në “dhomën e kontrollit” të lojës zikaltër.
E gjitha kjo, pa harruar soliditetin e paprecedentë mbrojtës, duke pasur parasysh se Interi aktualisht ka pësuar vetëm 6 gola në 10 javë kampionat.
Më pak se çdo ekip tjetër në Seria A, duke përfshirë edhe Juventusin.
Kjo është arsyeja pse në këtë kampionat, Interi po e përvijon veten dukshëm si rivali i vetëm për titull i Juventusit.
Dhe jo vetëm për lidhjen me vendin e dytë aktualisht, që e bashkëndan me Napolin.
Në javët e ardhshme, Interi duhet të njoftojë nënshkrimin me Giuseppe Marotta, drejtues i sprovuar në Seria A, që vjen nga Juventusi pas shtatë titujsh kampioni radhazi.
Një hap i mëtejshëm, që përpiqet të kthejë zikaltrit në krye të futbollit italian, por pa nisur me proklamime të mëdha.
Të qarta në këtë drejtim janë fjalët e kapitenit Mauro Icardi, menjëherë pas Lazio-Inter 0-3, të cilat e kanë shuar entuziasmin e të gjithë mjedisit zikaltër: “Ne anti-Juve? Jo, kemi ende disa hapa për t’u rritur”. Sidoqoftë, ky Inter, të paktën për momentin, me të vërtetë duket në rrugë të drejtë.