Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një ofertë të re në drejtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës – ku parashihet rritja e numrit të ministrive nga 12 në 14, një prej të cilave do t’i takonte LDK-së dhe një minoriteteve, shkruan lajmi.net.
Këtë ofertë të VV-së, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu e ka quajtur jo-serioze duke konsideruar se VV po kërkon pushtet absolut për ta nënvlerësuar dhe mbizotëruar LDK-në.
Në anën tjetër, lajmi.net ka folur me analistin Blerim Burjani i cili është shprehur se gjasat për koalicion janë minimale.
Sipas tij, marrëveshja është vështirësuar pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit.
“Gjasat janë minimale për një koalicion edhe pse oferta e fundit e VV-së për LDK-në ishte gjeneroze që është dashur ta bëjë kaherë dhe jo në fund të këtij procesi. Mendoj se ka ardhurfundi e që është negative pasi LDK e ndjen vetën të anashkaluar përfundimisht me zgjedhjen e Konjufcës kryeparlamentar nga VV dhe se Presidenti deri më 2021 nuk ka garancë që mund t’i jipet LDK-së. LDK e sheh si të përmbyllur këtë process për momentin, fjalori i tyre është gjithnjë “e shqyrtojmë”, por duket se nuk ka pasur vullnet prej fillimit për një koalicion”, tha Burjani për lajmi.net.
Më tutje, Burjani është shprehur se qëllimi i negociatave të këtyre dy partive nuk duket të jetë koalicioni.
Sipas Burjanit, LDK vazhdimisht është “në shqyrtim”, ndërsa Vetëvendosje ka bërë gabime në hapa drejtë arritjes së një marrëveshje.
“Nuk e kam përshtypjen se LDK gjatë fushatës dhe pas 6 tetorit ka qëllim koalicionin. Më shumë është lojë politike. Propozimet më shumë të njëanshme VV ka bërë propozime por edhe gabime siç është marrja e postit të kryeparlamentarit pa marrëveshje me LDK-në, kjo i ka kushtuar ndoshta edhe me humbje të marrëveshjes. Ka vetëm një zgjidhje për momentin, të propozohet qeveri teknike 6 deri në 9 muaj, gjatë kësaj kohe të reformohet ligji zgjedhor dhe të bëhen ndryshime kushtetuese”, tha Burjani për lajmi.net.
Më tutje, Burjani ka shtuar se koalicioni mes këtyre dy partive mund të jetë funksional, por sipas tij sfidat me të cilat do të përballej janë të mëdha.
“Koalicioni mund të jetë funksional por sikur deri tash secila ministri i përgjigjet partisë së vet por jo edhe kryeministrit ani pse deklarojnë të kundërten partitë për këtë çështje. Ndoshta do të arrinte të zbatohej vettingu në drejtësi dhe polici, zhvillimi ekonomik do të mbetet problemi më i madh për këto parti, pastaj sfida si mbrojtja shëndetësore, reforma sektoriale dhe e shërbimit diplomatik dhe të tjera mbesin sfida të mëdha”, tha Burjani në fund.
Vlen të theksohet se nuk ka ende qëndrim zyrtar të LDK-së që i përgjigjet ofertës së fundit të Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion.