Gjama e Burrave për Sali Berishën

39

E vetmja gjë që ka mbetur për të bërë në këtë gjendje, duhet ta rikthejmë ritin e famshëm të ndaluar nga regjimi komunist, Gjamën e Burrave. Ky rit burrnorë i traditës sonë për vajtimin e njerëzve me nam dhe ndikim, është ilaçi i vetëm për ta qarë ostrakizmin fyes të prijësit tonë të nderuar. Çdo vendim ndryshe e plagos rëndë dhe e vetmon Shqipërinë

Nga Shaqir ISLAMI

A i pëlqen dikujt, apo jo, Berisha – plot tre dekada – është burrë-shteti. Ky është Skënderbeu bashkëkohorë në shtetin e zaptuar nga një bandë hajdutësh dhe mashtruesish kombëtarë & ndërkombëtarë! Sot, figura politike e ‘Doktorit’- të shprehem, siç e quajnë me nderime të afërmit – është viktimë e qarqeve (të manipuluara) intelektuale-liberale dhe të gazetarisë mercenare të korruptuara nga qendra të fuqishme të interesave politiko&ekonomike. Prandaj – ndonëse është vonë – në Shqipëri moti, moti u desh nxitimthi të bëhet vettingu i mediave, gazetarëve, akademikëve dhe të OJQ’ve; dhe pastaj i drejtësisë! Sot, dëmin shkatërrues për zhbërjen e shtetit e bëjnë mediat, gazetarët, intelektualët-liberalë dhe OJQ’të; dhe jo drejtësia. Ilaçi i vetëm është ndjekja e burimeve të parave të bollshme që derdhen në atë industri nga burime të (pa)njohura të dyshimta. Gazetaria mercenare është rreziku dhe dushmani i vetëm në atë shtet, me që e prodhon opinionin publik të rremë; ky soj nuk ka të bëjë fare me gazetarinë; këta janë argatë të qendrave të caktuara të propagandës së huaj që synon ta zhbëjë shtetin dhe ta shartojë atë popull.

“Lista Greke” ishte vetëm një dokument-dëshmi e rastësishme, dhe u hesht qetazi si kur shkrihet bora në pranverë. Në çdo shtet normal “lista Greke” do bënte bujë si krye-skandal shekullor, atje thjesht u shpërfill me një lehtësi marramendëse. Gjatë gjithë tranzicionit, Shqipëria ndodhet mes dy luftërave të egra shkatërrimtare: njëra është lufta psikologjike dhe tjetra lufta e informacionit! Prandaj, atje tranzicioni është një tregim pa fund e krye, sepse informacioni nuk është thjesht një mjet i dobishëm i informimit të publikut, por më shumë përdoret si një armë vrastare në masë në duart e ‘gazetarëve’,’ intelektualëve-liberalë’ dhe të shoqërisë civile mercenare, të cilët paguhen si argatë dhe u shërbejnë qorrazi, me përkushtim të madh qendrave të caktuara të interesit. Mu këta, janë ata që e instaluan dhe e mbrojnë – sikur Kerberët, Hadin – regjimin e “Rilindjes”; dhe që e shtrembëruan dhe e shpërfytyruan domethënien e kësaj fjale, që deri dje, gëzonte shenjtërinë dhe nderin më të madh në fjalorin e shqipes.

Informacioni – një çik le të themi – qoftë nga pa dija, por, shumë më tepër qëllimshëm është shndërruar dhe shtrembëruar në dezinformacion; dhe mu për këtë shkak, me lehtësi të paparë e shpërfytyron dhe karikaturon gjuhën, historinë, mithet, identitetin kombëtarë, traditën, besimet, dhe çdo vlerë tjetër të atij populli. Kjo është teknologjia e shartimit të fajit kolektiv, mosbesimit në institucionet dhe prijësit e shtetit, të përçarjes dhe polarizimit të shoqërisë, copëtimit të kohezionit shoqërorë dhe të ndjelljes së kompleksit të inferioritetit të popullit shqiptar. Kjo strategji e luftës së informacionit është ogurzezë dhe e kobshme për zhbërjen e çdo populli!

Të gjitha këto bëhen nën etiketën dhe ‘brandin’ demokracisë liberale; që pastaj, tinëzisht të manipulohen dhe shfrytëzohen të gjitha vlerat liberale: liria e fjalës, të drejtat e njeriut, mediat e lira dhe perëndimizimi i shoqërisë, kjo është strategjia mashtruese dhe manipulimi hileqarë që ndodh plot tre dekada në Shqipëri.

Kur flaken vlerat, besimet dhe tradita, ajo shoqëri mbetet cullak pa narrativ që ta mbajë gjallë identitetin dhe trungun e një populli; si pasojë e kësaj ndodh zhbërja e tij me lehtësi . Ndërsa, dihet se njeriu bashkëkohor vuan pa dhe për identitet! Si shembull i përsosur që vlen të përmendet është sulmi i gjithanshëm – dhe një kohë të gjatë – ndaj figurës dhe veprës së të Madhit Skënderbe! Botërisht dihet se mithi politik i tij, është boshti kurrizor dhe palca e identitetit kombëtar shqiptar. Ai është fija e fortë e padukshme që e ndërton strukturën e identitetit tonë.

Pa narrativin e mithit politik të Skënderbeut, zhbëhet trungu Shqiptar! Prandaj, mercenarët e sulmojnë pamëshirshëm figurën dhe veprat e tij, gjithmonë të porositura nga qendra të huaj. Mithi i Skënderbeut deri dje kishte fuqinë e shenjtë, çdo përpjekje për gjoja se vështrim kritik të historisë sonë është në fakt futja e ambiguitetit (dykuptimshmërisë) mes individëve dhe rrënimi i mithit gjenial politik të Rilindësve tanë. Sot, ky mith zhbëhet pandërgjegjshëm para syve tanë, me paturpësi të madhe pa një përpjekje sado e vogël për ta mbrojtur as nga shteti, as nga qarqet intelektuale-akademike, patriotike, … Shekulli 21 – dhe për çudi të Zotit – nuk k akush t’i del Zot Skënderbeut!

Aspak nuk janë të rastësishme dhe pa hile përpjekjet e galvanizimit të madhështisë së tij, në personalitetin e mjerë të neo-diktatorit aktual të Shqipërisë; prirja për t’i barazuar këto dy figura politike shërben vazhdimisht për ta zhvlerësuar dhe karikaturuaredhe nishanin e shenjtë të kombit tonë! Nga ana tjetër, me aktivitete këmbëngulëse të ndikimit të informacionit, bëhet fuqizimi i ditë-për-ditshëm i identitetit fetarë në shkëmbim të identitetit kombëtarë.

Në atë vend, ka Ferari e Benza, ka Kanabis Sativa e kokainë me bollëk, ka sahate Rolex e PatekPhilippe’ë, ka luks dhe bollëk për një pakicë, dhe ka një fukarallëk të turpshëm për shumicën e popullatës së ndershme… ndërsa, ka shumë pak gazetarë të mirëfilltë që mund të njihen në gishta dhe hiç, ama hiç atdhedashuri! Atje mungon kultura për atdhedashuri dhe nderim për atë tokë të larë në gjak e të trashëguar nga të lashtët tanë! Por, atje ka mercenarë të medias për eksport që e ushtrojnë zanatin e gazetarisë si propagandistë të agjitacionit për interesa të huaj, duke bërë dëme të pandreqshme atdheut. Kakofonia e tërbuar e ‘gazetarisë- liberale shqiptare’ në shërbim të propagandës dhe agjitacionit e menaxhoi dhe prodhoi opinionin publik kundër politikanit atdhetar Berisha; natyrisht, duke e projektuar dhe fokusuar fajin dhe urrejtjen ndaj figurës së vetme politike burrë-shteti, me sloganin dinak dhe hileqarë “Fajin e ka Saliu”.

Në këtë mënyrë, të gjitha ‘operacionet psikologjike’ të ushtruara në atë shtet nga shërbimet e fshehta të inteligjencës së shteteve armike: eksodi në masë drejt Italisë i 91’shit jehoi në mbarë globin: “ u bë lajm i parë i pothuajse në të gjitha mediat botërore”. Pastaj, vitet 96/97 piramidat financiare dhe rrënimi i hatashëm i shtetit në prag të eksodit të dhunshëm të kosovarëve nga Kosova!

Sikur njëdorë e padukshme, rregullisht kujdeset që ky vend të prodhojë vetëm lajme negative dhe të tmerrshme! Pastaj, kiameti i prodhuar në depot e Gërdecit! Këto ngjarje dhe shumë të tilla,ndodh lehtësishtqë të jenë operacione psikologjike, të cilat prodhohen vetëm nga shërbime sekrete profesionale dhe mirë të ushtruara. Përveç dëmeve tjera, këto ngjarje të sajuara kanë shërbyer si material për lajme negative, për krijimin e opinionit publik negativ ndërkombëtarë ndaj shqiptarëve, dhe ftohjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me aleatët euroatlantik.

Së fundmi, Ostrakizmi politiko-social i Berishës është një lojë e huaj, që vetëm i shfrytëzon ‘idiotët e dobishëm’ rilindës për ta futur pykën në miqësinë jetike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe ta çojnë rehat shtetin drejt falimentimit. Politikani Berisha është pengesa e vetme në zhbërjen e Shqipërisë dhe zëri kumbues që ua vështirëson realizimin e planeve në këtë sipërmarrje tradhtie politike ndërkombëtare.

Ostrakizmi i tij është një projekt politik ndërkombëtarë, sidomos aspekti i shembjes së miqësisë së madhe me ShBA’të. Prandaj, duhet të veprohet me gjakftohtësi dhe me urtësi, duhet të përpihet dhe të durohet edhe ky ostrakizëm i dhimbshëm për çdo Shqiptar, me qëllim që, padashur të mos nisim ta shembim miqësinë aq të nevojshme për hir të ekzistencës së shtetit dhe identitetit kombëtarë. Mbase, ky është qëllimi kryesor i aktit të ostrakizmit të ‘Skenderbeut bashkëkohor’ qëllimisht kaq fyes dhe të dhimbshëm deri në palcë që vet shqiptarët të nisin ta shembin miqësinë me Shtetet e Bashkuara. Ky luks nuk i ka hije dhe nuk i lejohet askujt – sidomos një burrë-shteti si Berisha.

E vetmja gjë që ka mbetur për të bërë në këtë gjendje, duhet ta rikthejmë ritin e famshëm të ndaluar nga regjimi komunist, Gjamën e Burrave. Ky rit burrnorë i traditës sonë për vajtimin e njerëzve me nam dhe ndikim, është ilaçi i vetëm për ta qarë ostrakizmin fyes të prijësit tonë të nderuar. Çdo vendim ndryshe e plagos rëndë dhe e vetmon Shqipërinë. Ky është synimi përfundimtar i aktiviteteve për ndikimin e informacionit të projektuara jashtë, dhe të realizuara nga kolonat e pestë brenda vendit.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)