Tifozët gjakovarë, “Kuqezinjtë e Jakovës”, po shpresojnë që Lorik Cana do t’i bashkohet Vëllaznimit, njëjtë siç bënë muaj më parë tre ish-reprezentuesit e Shqipërisë: Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, të cilët nënshkruan kontrata me FC Prishtinën. Madje këtë dëshirë po e shpreh edhe kryetari i klubit kuqezi, Shkëlzen Gashi, i cili në një bisedë me gazetën “Zëri” ka konfirmuar negociatat që po i bën me legjendën e futbollit shqiptar, i cili është pensionuar nga Kombëtarja Shqiptare e po ashtu ka mbetur pa skuadër. Përveç këtij fakti, është edhe një arsyeje tjetër që i ka shtyrë gjakovarët të shpresojnë në ardhjen e Canës në klubin e tyre. Kjo pasi ish-futbollistit i PSG-së, Olimpique Marseillet, Sunderlandit, Galatasarayt, Lazios dhe Nantes para disa vitesh nuk e kishte përjashtuar mundësinë që karrierën nga futbolli aktiv ta mbyllë në Gjakovë. Dhe donatori i Vëllaznimit, Shkëlzen Gashi, konfirmon një takim dhe bisedë që kishte pasur muaj më parë me Canën në Shqipëri, prej të cilit takim ka dalë një fotografi, e cila tani po qarkullon nëpër rrjetet sociale. “Ajo fotografi është bërë më moti në Shqipëri, kur jam takuar me Lorikun. Sidoqoftë, do të ishte diçka shumë e mirë sikur Lorik Cana t’i bashkohej Vëllaznimit, qoftë si futbollist, drejtor, menaxher. Pavarësisht rolit, prezenca e tij do të ishte diçka e mirë për klubin me të cilin jeton Gjakova”, tha Gashi. Madje, ai edhe publikisht tregon ofertën për Canën. “Jam i gatshëm që Lorik Canës t’ia ofrojë një rrogë prej 2 mijë eurosh në muaj. E di që nuk është ndonjë shumë e konsiderueshme për Canën, por në Vëllaznim lojtarët kanë rroga prej nga 300 eurosh, kurse për Canën do të isha në gjendje t’i bëj rrogë prej 2 mijë eurosh”, deklaroi Gashi për “Zërin”.
Gashi: Cana do t’i sillte sponsorë Vëllaznimit
Shkëlzen Gashi thotë se është njeriu i vetëm që po jep para në Vëllaznim. Ai duket se është “lodhur” duke shpenzuar nga xhepi i tij pa kurrfarë kompensimi. “Unë jam në Vëllaznim qe një vit e tre muaj. Gjatë kësaj periudhe kohore kam shpenzuar 278 mijë euro në Vëllaznim. Po flas për një shumë që është e dokumentuar, pra me letra”, thekson ai. “E kam pas marrë Vëllaznimin kur rrezikohej të binte edhe nga Liga e Parë. Kurse, aktualisht jemi në vendin e dytë të Ligës së Parë dhe po bëjmë çmos për t’u kthyer në Superligë, aty ku e ka vendin Vëllaznimi. Ndihem nën presion të madh sepse Gjakova dhe qytetarët e saj duan ta shohin Vëllaznimin në Superligë. Ata kanë të drejtë dhe e meritojnë. Ndërsa unë po mundohem të bëj çmos për ta arritur këtë”, shtoi Gashi. Por, në këtë proces biznesmeni nga Gjermania po has në vështirësi. “Shumë vështirë. Jam i vetëm, nuk po më ndihmon askush. Gjithçka vetë po e kryej, nuk po na afrohet asnjë sponsor. Kështu që me ardhjen e Lorik Canës gjërat do të mundë të fillonin të ndryshonin”, tha ai. “Sikur të na bashkohej Lorik Cana, sigurisht se pas tij do të vinin edhe sponsorë. Pastaj, ai njeh menaxherë e skautë të huaj, të cilët ndoshta do të mundë t’ia ofronte Vëllaznimit, futbollistëve tanë dhe gjërat do të fillonin të lëviznin pozitivisht”, potencoi Gashi.
Gashi paralajmëron takim të shpejtë me Canën
Pas pak ditësh Vëllaznimi do të udhëtojë drejt Shqipërisë për ta kryer një fazë përgatitore për sezonin pranveror. Kryetari i kuqezinjve, Shkëlzen Gashi, paralajmëron një tjetër takim me Lorik Canën. “Do të shkojmë në Shqipëri për përgatitje dhe me gjasë do ta takoj atje Lorik Canën dhe do të bisedojë me të”, tha Gashi.