Nora Gjakova është një fitore larg medaljes së bronztë të turneut Grand Prix Tel Aviv në Izrael, pasi që shënoi fitore në rundin e parë të repesazhit kundër xhudistes nga Azerbajxhani, Alexandra-Larisa Florian.
Kosovarja e mposhti me lehtësi xhudisten nga Azerbajxhani, Alexandra-Larisa Florian, me ippon, duke arritur kështu ta vazhdojë rrugëtimin drejt medaljes së bronztë, që do të ishte medalja e vetme për Kosovën sot në Izrael, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Xhudistja kosovare pësoi disfatë nga francezja Helene Receveaux në çerekfinale, duke e humbur kështu një vend në gjysmëfinale të turneut Grand Prix Tel Aviv, në kateogrinë e peshave deri në 57 kilogramë.
Gjakova e kishte prerë biletën për në çerekfinale duke e mposhtur rusen Anastasiia Konkina në rundin paraprak, atë të tretë, brenda 77 sekondave luftë.
Në rundin e dytë, kosovarja u tregua shumë e fortë për xhudisten nga Honk Kongu, Po Sum Leung, të cilën e mposhti me ippon pas 79 sekondave betejë. Ndërsa, rundin e parë e kaloi pa përballje.
Në anën tjetër, Erza Muminoviq u eliminua në rundin e dytë të kategorisë deri në 52 kilogramë, pasi u mposht nga braziliania Sarah Menezes. Flaka Loxha garoi në të njëjtën kategori me Gjakovën, mirëpo ajo u mposht gjithashtu në rundin e dytë, nga xhudistja nga Kazakistani Sevara Nishanbayeva.
Ndërsa, Kosovës i jep shpresa për të fituar medalje në këtë garë edhe Laura Fazliu, e cila po e pret në rund të dytë fituesen e duelit mes meksikanes Prisca Awiti Alcarez dhe ruses Ekaterina Valkova, në kategorinë deri në 63 kilogramë. Fazliu do ta zhvillojë përballjen e saj nesër.