Tashmë jemi mësuar me pushtimin klasik të smartphone-ve që vijnë nga Lindja e Largët. Këto pajisje kanë zakonisht karakteristika të limituara, por me një raport të mirë cilësi-çmim. Por kompania Gionee, për të bërë për vete përdoruesit, është përqendruar në karakteristika më revolucionare. Gionee S10, i sapo zyrtarizuar nga kompania kineze, ka katër fotokamera: dy në pjesën e përparme dhe dy në pjesën e pasme. Me këtë lëvizje, kompania kineze kërkon të bëjë për vete të gjithë të pasionuarit e selfie-ve me një kamerë të dyfishtë në pjesën e përparme që ju mundëson foto me cilësi të lartë. Por Gionee nuk ka menduar vetëm sa i përket sektorit fotografik…
KARAKTERISTIKA TË GIONEE S10
Gionee S10 është gati të konkurrojë me smartphone të tjerë, të cilët kanë dalë në muajt e fundit. Por duhet të themi se zgjedhja për të montuar një chipset Helio P25 me performanca inferiore krahasuar me Snapdragon 835 e penalizon disi smartphone-n kinez. Për të arritur në përdorimin sa më të përkryer të fotokamerave, Gionee ka vendosur ta pajisë Gionee S10 me 6 GB RAM dhe 64 GB memorie të brendshme e cila mund të zgjerohet deri në 128 GB me një skedë microSD. Ekrani është 5,5 inç, me rezolucion 1920 x 1080 piksel, ndërsa bateria 3450 mAh. Siç e thamë, sektori fotografik është i përbërë nga një fotokamerë e dyfishtë në pjesën e pasme me sensorë 16 megapiksel dhe 8 megapiksel, ndërsa fotokamera e dyfishtë në pjesën e përparme ka sensorë 20 megapiksel dhe 8 megapiksel. Gionee S10 do të dalë në tregun kinez shumë shpejt por nuk dihet me saktësi se kur do të vijë në Evropë. Çmimi do të jetë rreth 330 euro.
KARAKTERISTIKA TË GIONEE S10B DHE GIONEE S10C
Kompania kineze ka prezantuar edhe dy versione të të njëjtit smartphone me karakteristika disi më inferiore. Gionee S10B ka të njëjtin ekran, por do të ketë të montuar chipset Helio P10, 4GB RAM dhe 64GB memorie të brendshme. Sa i përket sektorit fotografik: fotokamera e dyfishtë në pjesën e pasme ka sensorë 13 megapiksel dhe 5 megapixel, ndërsa fotokamera e përparme ka vetëm një sensor 16 megapiksel. Çmimi do të jetë rreth 280 euro. Gionee S10C do të ketë ekran HD 5,2 inç. Do të ketë procesor Snapdragon 427, 4GB RAM dhe 64GB memorie të brendshme. Sa i përket sektorit fotografik është i përbërë nga një fotokamerë e pasme 13 megapiksel dhe një kamerë e përparme 16 megapiksel. Çmimi do të jetë pak më shumë se 200 euro.