Emri që i reziston kohës tash e disa dekada dhe vazhdon të sjellë projekte të cilat pëlqehen nga publiku është pikërisht Gili. Një nënë e bashkëshorte e suksesshme dhe një këngëtare e jashtëzakonshme. Nuk duhen shumë fjalë për të përshkruar karierën dhe figurën e saj sepse me kohë ka dëshmuar që është e madhe. Krah vetes gjithashtu ka një bashkëshort të suksesshëm që i krijon muzikën e bukur, ndërsa Gili për projektet e fundit flet në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA.
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Je rikthyer me një projekt të ri, na fol për bashkëpunëtorët dhefinalizimin e tij?
Kam disa projekte për fundvit, dy këngë solistike dhe katër bashkëpunme. Tanimë është edituar kënga ‘Oj Kosovë oj Shqipëri’ ku janë përfshirë emrat eminent të estradës si Shkurte Fejza, Dani, Xeni, Violetë Kukaj, Edona, Malësori e Ylli. U publikua kënga ime ‘Qika jem’ që u mirëprit jashtë mase mirë, tani pritet kënga ime solistike ‘E la e la’ si dhe tre potpuri me balada e këngë ritmike.
KOHA: Sa e kënaqur je nga ky projekt?
Projekti është festiv dhe përfshinë vetëm këngët e Ilir Beranit, synojmë të jetë tradicional, jam shumë e kënaqur si me këngë të reja ashtu edhe me bashkëpunimet, po i risjellim emrat amblemë të muzikës popullore me këngë që po dëgjohen edhe pas dy dekadave.
KOHA: Pauza juaj në muzikë tashmë dihet, a ju ka munguar publiku pasi atij ikeni munguar shumë, sepse projekti është pritur mjaft mirë?
Realisht muzika nuk të lë të pauzosh, vetëm se me vetëdëshirë nuk isha prezente në media, unë kam punuar vazhdimisht me manifestime muzikore.
KOHA: Jeton në Kosovë, por nuk harron të vizitosh gjithë trevat shqiptare?Për çfarë ke mallë më shumë kur viziton vendet ku flitet shqip?
Janë shumë vite lidhje mes diasporës dhe këngës time. Me kohë të vështira e të mira gjithmonë isha prezente me këngët e mia, në fillim publiku më i gjerë ishin fëmijët, ata tani janë rritur dhe vazhdojnë të vijnë në mbrëmjet e mia duke më kërkuar këngët që ngjallin nostalgji, madje shumë vajza që janë rritur me ‘Xixëllonjën’ më përzgjedhin mua që të ju këndoj në ditën e tyre më të rëndësishme të jetës, në ditën e dasmës.
KOHA: Ju muzikën e keni pasion apo jetoni në sajë të muzikës?
Prej vitit 1995 unë jetoj vetëm prej muzikës, vazhdoj të kem pasion pa pasur asnjë moment dyshimi në dashurinë që kam për të.
KOHA: Kujt i dedikohen këngët e reja?
Jam e njohur që gjithmonë i kam kënduar vajzave, kështu që edhe kënga e fundit dedikohet pikërisht atyre, dashuria dhe fenomenet shoqërore janë temat e këngëve të mia gjithmonë, kam kënduar për problemet me viza, drogën, dhunën, martesën, tolerancën fetare që e konsideroj si obligim i një artiste nënë për të përcjellë mesazh pozitiv dhe edukativ përmes këngës.
KOHA: Pse vendoset të vini për publikun me disa projekte mjaft të bukura?
Tani do të jem më prezente dhe të dini që prezencën e këngëtares e determinon publiku, ne nuk mund të jemi këtu nëse ata nuk na duan ende…
KOHA: A mendoni se kënga vlerësohet nga numri i klikimeve që merr?
Kënga vlerësohet për aq kohë sa këndohet, disa këngë zgjasin me dekada dhe i mbijetojnë trendit, këngë të tilla i kam synim.