Shkup, 27 prill – Ndërkohë që viti 2017 po mbaron, shumica e banorëve të Ballkanit mund të bëjnë “Gëzuar” për një vit që i solli rajonit disa përfitime ekonomike dhe pa konflikte për shtetet e Evropës. Kështu shkruan BalkanInsight teksa bën një analizë të vitit që po lëmë pas për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që Britania e Madhe u përgatit për të dalë nga Bashkimi Evropian, katër shtete ballkanike po përgatiten që të bëhen pjesë e familjes evropiane dhe për të zënë vendin vakant të krijuar nga Londra. Sipas BalkanInsight, edhe pse marrëdhëniet Serbi-Kosovë nuk kanë ndonjë dritë në fund të tunelit, të paktën nuk kanë krijuar alarme në vitin 2017. Ndërkohë, Kosova dhe Mali i Zi dështuan për të kaluar çështjen e demarkacionit të kufirit. BalkanInsight përmend edhe problematikat e vendeve të tjera, siç është ajo mes Sllovenisë dhe Kroacisë sa i përket Gjirit Pirin. Një element që përmendet në artikull janë edhe zgjedhjet që u mbajtën në shumë vende të Ballkanit. Sipas artikullit, vetëm në disa raste rezultuan me ndryshime thelbësore. Deri më tani ndryshimi më i rëndësishëm është rrëzimi i VMRO-DPMNE në Maqedoni pas 11 vitesh në pushtet. “Një qeveri e re sodialdemokrate nën Zoran Zaev mori detyrën me një mision për të rivendosur sundimin e ligjit”, shprehet media ndërkombëtare. Artikulli e konsideron ndryshimin e pushtetit në Maqedoni si një pengesë që iu krijua Moskës në rajonin tonë. Ndërkohë që zgjedhjet në Kosovë krijuan paqëndrueshmëri politike pavarësisht krijimit të vonuar të qeverisë nga Ramush Haradinaj. Sa i përket trendit ekonomik, viti 2017 është një arsye për t’u gëzuar. Edhe pse një gëzim modest, Ballkani ka shënuar rënie në normat e varfërisë. “Një raport i Bankës Botërore parashikoi normat mesatare të rritjes në fund të vitit prej 2.6 për qind duke e rritur më pas në 3.3%. Rritja e vendeve të punës dhe inflacioni relativisht i ulët ndihmuar në uljen e varfërisë në Ballkanin Perëndimor”, shprehet BalkanInsight. Artikulli shprehet se rritja ekonomike në Shqipëri është 3.4 për qind dhe kjo falë punësimit dhe industrisë, si dhe nga sipërmarrjet e vetëpunësimit. Rritja ekonomike më e madhe ishte në Malin e Zi, Kosovë dhe Shqipëri ku arrin afërsisht 4 për qind, ndërsa më të ulëtat u shënuan në Serbi dhe Maqedoni me rreth 2%.