Ditët e fundit është përfolur shumë për një kalim të mundshëm të anësorit sulmues Grezda tek skuadra skoceze Glasgow Rangers. Mediat britanike thonë se futbollisti i ka kryer testet mjekësore dhe së shpejti do të zyrtarizohet transferimi
Lajme i madh nga Skocia për futbollistin e kombëtares shqiptare. Eros Grezda mund të bëhet lojtari më i ri i ish-lojtarit të Liverpoolit, tani trajner i Glasgow Rangersit, Steven Gerrard. Për talentin nga Gjakova janë duke folur shumë nga mediat britanike. “Sky Sport” ka lëshuar një mesazh duke thënë se këto ditë Grezda ka qenë në Glasgow për ti kryer testet mjekësore tek klubi skocez. Zyrtarizimin e lojtarit në fjalë pritet që klubi ta konfirmojë së shpejti.
Grezda kohët e fundit ka qenë edhe i dëmtuar dhe për këtë shkak testet mjekësore po zhvillohen në mënyrë më të ngadalshme. Për kartonin e shqiptarit skuadra skoceze pritet që t’i paguajë Osijekut 3 milionë sterlina. Talenti 23 vjeçar me prejardhje nga Kosova duhet të aplikojë për leje pune duke marrë parasysh rregulloren.
Kjo do t’i ndihmonte lojtarit për të mos hasur në pengesa. Anësori me tipare sulmuese vitin e kaluar kishte shënuar pesë gola për ekipin duke u aktivizuar gjithsej në 26 ndeshje. Më herët 23 vjeçari ka qenë pjesë e klubeve si Aluminij, Zavrc dhe Lokomotiva Zagrebit.