Është këngëtare e njohur. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin ekonomik në Tiranë. Me pas vazhdon specializimin e saj ne Diagnostikim i Menaxhimit Operacional të bizneseve në Lyon të Francës. Në maj të vitit 2015, atë e shohim si një backvocaliste në përfaqësimin e Shqipërisë me këngëtaren Elhaida Dani. Në maj të po atij viti, ajo mori pjesë në festivalin Top Fest 12 me këngën “Të ndiej”. Gjatë vitit 2016 publikoi projektin “Ti ma the”, ndërsa në vitin 2018 klipin e këngës “Falma”, por duke mos ndaluar me kaq pasi gjatë vitit të kaluar ajo nxori projektin “Je T’Aime” me muzikë dhe tekst të punuara nga Filloreta Raçi (Fifi) kurse klipi ishte xhiruar në Nju Jork. E në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ne njohim më shumë Geronën
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Geronë, cila ka qenë kënga me të cilën bëre “boom”?
Kënga që më dha më shumë zë është “J’taime”. Për atë këngë u fol shumë nga ana artistike. Por krahas saj do të përmendja edhe këngën në ardhje që është një bashkëpunim por që është një këngë vërtet shumë e bukur. Nuk dua të flas para kohe por që më besoni është shumë e bukur.
KOHA: Ç’mendime të vinin në kokë në përballjen e parë me publikun? E mban mend?
Oh, shumë mendime që tani nuk i bëj dot një selektim, sepse ka qenë vorbull mendimesh.
KOHA: Po tani?
Gjithnjë përballja me publikun ka emocion. Por tani po mendoj më shumë për projektet e mija, si i presin, çfarë pëlqejnë, ç‘duhet të ndryshoj etj etj…
KOHA: Cili ka qenë viti yt, më i suksesshëm?
Unë kam ëndrra shumë të mëdha dhe jam kritike e madhe e vetes, ndaj nuk mendoj se kam arritur kulmin e karrierës, por do të thosha një vit i suksesshëm ishte ky që sapo mbyllet. Kam qenë pa fund aktive me projektet e mia dhe mbrëmjet e shumta muzikore këtë vit.
KOHA: Ke nxjerrë shumë ëndrra nga sirtaret?
I kam realizuar ëndrrat e mia deri diku, por gjithmonë, duke kërkuar ende më shumë nga vetja, më duket se ato ëndrra po shtohen dita ditës më shumë.
KOHA: Po të mos ishe kjo që je, kush do të doje të ishe?
Unë kam zgjedhur dy profesione në jetë: këngëtaren dhe ekonomisten. Jam diplomuar në degën e Ekonomikut dhe më pas bëra edhe specializimin në Francë. Po të mos isha këngëtare do kisha arritur diçka te rëndësishme në profesion, ngaqë jam shumë tip hiperaktiv dhe nuk më pëlqen pasiviteti.
KOHA: Çfarë ndryshon tek ty koncert pas koncerti?
Çdo koncert do të thotë për një muzikant evolim, profesionalizëm, eksperiencë, njohje të reja dhe hapësirë për të shprehur më shumë talentin për të qenë më afër publikut dhe për të shijuar momentin kur këndojnë bashkë me mua. Pavarësisht kur mendojmë se të gjitha i dimë atëherë kuptojmë se nuk dimë asgjë. Kjo është muzika dhe unë po mësoj nga ajo çdo herë më shumë. Në koncertet e mija pavarësisht humorit apo gjendjes shpirtërore, mundohem të jap maksimumin duke rrezatuar kështu energji pozitive. Mundohem të krijoj atmosferë të këndshme duke i bërë njerëzit të këndojnë bashkë me mua.
KOHA: Ekziston diçka që duhet ta ketë çdo artist që merr përsipër t’i përcjellë grimca nga vetja publikut?
Publiku, përderisa vjen për të dëgjuar dhe parë performancat e tua kuptohet që pret të kalojnë bukur prandaj për ne, këngëtaret çdo natë që performojmë është e veçantë dhe mundohemi te japim maksimumin.
KOHA: Çfarë ka ndryshuar te ty qe kur je bere personazh publik?
Ndoshta ngaqë kam kohë që jetoj jashtë nuk më duket se jam bërë dhe aq e njohur, por me përzgjedhjen time së fundmi për të kënduar në festival këtu në New York, mendoj se po ia marr frytet punës më shumë sesa famës.
KOHA: Kujdesesh të thuash gjithnjë gjërat e duhura në një intervistë? Cilat janë gjërat e duhura në këtë rast?
Them ato që janë. Asgjë më shumë dhe as më pak. Nuk hezitoj në të shprehur asnjëherë. Them atë që dua, ndjej ,mendoj. Gjëja e duhur që po bëj tani, janë përgjigjet e mija në intervistën tuaj me plot sinqeritet.
KOHA: Pse këngëtarët, i kanë qejf intervistat në fillim dhe pastaj jo dhe aq?
Ndoshta i deformojnë përgjigjet e tyre, nuk i publikojnë siç janë dhe kjo gjë është shumë irrituese ose nuk duan të ngacmohen nga pyetjet pikante të gazetarëve..
KOHA: Çfarë druhesh se mund të ta prishë imazhin e krijuar deri më tani?
Thjesht duhet të kem kujdes me temperamentin tim, që, së pari, më bën ti them gjërat troç. (Qesh) Ndërsa nga ana profesionale duhet të jem gjithmonë e kujdesshme në përzgjedhjet e projekteve të cilat lançohen më pas tek publiku.
KOHA: A kemi më këngë autentike shqiptare?
Nga kjo pyetje mund të krijosh një emision të tërë. Këngët, shumë kohë më parë ishin dhe janë ende të bukura dhe ne vazhdojmë t’i këndojmë. Ka edhe nga ata që mundohen të sjellin diçka të tillë por nuk vlerësohen. Besoj, se duhet të ecim në hap me kohën.
KOHA: Si do ta quaje pikën në të cilën ndodhesh në karrierën tënde?
E keni parasysh sa larg janë yjet? Unë do e quaja, në mes të yjeve apo thjesht universit.
KOHA: Cilat janë gjërat që e pasurojnë jetën tënde, botën tënde?
Familja dhe përsëri familja.
KOHA: Mendon shpesh për të nesërmen?
Mendoj për të nesërmen dhe më larg se ajo në fakt ka disa gjëra që i planifikoj apo vë qëllim në mendje dhe kur realizohen mendoj se e kam parashikuar .
KOHA: Çfarë mendon se i ke dhënë të djeshmes dhe çfarë do të doje të të sillte e nesërmja?
Të djeshmes i kam dhënë farën dhe të nesërmen, pres të mbijë apo lulëzojë.
KOHA: Cila është fjala që do të doje t’i thoshe dikujt tani që mbase e lexon gazetën?
Listen, smile, agree and than do whatever you gonna do .(Dëgjo, buzëqesh, pajtohu dhe më pas bëj atë gjënë që ke në plan të bësh)
KOHA: Çfarë pret nga 2020?
Uroj dhe pres që shqiptarët të gjejnë qetësi pas tërmetit edhe pse përditë ka lëkundje, të gjejnë sadopak gëzim dhe shumë dashuri! Për veten pres suksesin që meritoj!