“Je t’aime” është kënga me të cilën këngëtarja e muzikës shqiptare Gerona Hyska ka ardhur këtë herë. Një klip solar dhe shumë argëtues e ka sjellë këngëtarja nën realizimin e xhirimeve në New York dhe publikim e tij në sezonin e prurjeve muzikore. Gerona mjaft simpatike dhe e çiltër vjen në këtë intervistë me një rrëfim fantastik për InfraRed të gazetës KOHA. Lexojeni…!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Gerona, ti je një këngëtare që nuk shfaqesh shpesh, ama kur vjen, di si vjen. E ke zgjedhur vetë këtë mënyrë prezantimi?
Në fakt unë jam një person që nuk i planifikoj shumë gjatë gjërat, në kuptimin që mund të kem një projekt gati dhe në një moment dëgjoj diçka tjetër që ma bën boom me herën e pare dhe nxjerr atë. Veproj si e ndjej , kjo është mënyra ime e prezantimit dhe jam e sigurt që kur unë e dëgjoj diçka dhe e ndjej se më pëlqen e di se dhe të tjerët do ta presin mirë. Nuk shfaqem shpesh por mund të them që jam pothuajse çdo fundjavë duke kënduar live, duke qëndruar afër me publikun shqiptar këtu në NY ku jetoj për momentin.
KOHA: Pse ky titull në frëngjisht “Je t’aime” i këngës tënde më të fundit?
Kënga në fakt është krijuar gjatë kohës kur unë jetoja në Francë dhe vazhdoja studimet e mia atje. Gjatë një bisedë me Fifin menduam se do të ishte diçka interesante duke qenë se kohët e fundit gjuha angleze është ajo që dëgjohet më shumë në këngët shqiptare, një fjalë frëngjisht do të ishte diçka ndryshe. Plus që është edhe fjala kryesore e refrenit të këngës dhe një fjalë që të mbetet në mendje kur e dëgjon.
KOHA: Si u lidhe me bashkëpunëtorët e kësaj këngë dhe klipi?
Kam patur shpesh komunikim me Fifin duke qenë se dhe kemi punuar bashkë tek një lokal i muzikës live në Tiranë, ku performonim bashkë çdo fundjave dhe që atje kam patur biseda me Fifin për të krijuar një këngë. Persa i përket klipit, djali i cili ka punuar klipin është shqiptar i cili jeton ne NY dhe pashë punimet e tij, një klip të Dafina Zeqirit dhe më pëlqeu shumë mënyra se si punonte dhe nuk hezitova ti shkruaja dhe ai ishte dakord për bashkëpunimin.
KOHA: Çfarë pret ti nga kjo këngë?
Pres që të pëlqehet, të dëgjohet dhe të kërcehet nga publiku. Kjo është ajo që çdo këngëtar do në fund të fundit. Dhe pse jo secili prej nesh mund të gjejë pak veten në ndonjë pjesë të tekstit apo tek e gjithë kënga.
KOHA: Sa të ka ndihmuar fakti që ke pasur të bësh me bashkëpunëtorë të suksesshëm për këngët e tua, flas edhe për këngët pararendëse?
Më ka ndihmuar shumë sepse kur punon me profesioniste gjërat për ty bëhen më të thjeshta. Por sigurisht që unë nga ana ime jam përpjekur fort dhe kam punuar shumë që të arrij sukses.
KOHA: Si ka ndryshuar Gerona nga herët e para që ka kënduar në skenë?
Kam nisur të këndoj shumë e vogël duke filluar nga festat e vogla që zhvilloheshin me shkollën pastaj duke kaluar në skena pak më të mëdha siç është skena e teatrit kur këndoja tek festivali i fëmijëve, pastaj tek aktivitetet që zhvilloheshin me gjimnazin, pastaj tek një skenë akoma më e madhe ku ndodhesha dhe para një jurie me profesionistë që do të vlerësonin zërin tim dhe atje do të kuptoja se sa vleja vërtet, kjo ishte skena e X-factor. Më vonë mora pjesë tek Top Fest dhe sigurisht një skenë që ka qenë madhështore dhe sukses shumë i madh për mua ishte te shkelja në skenën e Eurovizionit. Ndryshimi për mua ka qenë gjithmonë në rritje, kam ditur të ruaj gjithmonë personalitetin tim në skenë dhe të këndoj atë çfarë më përshtatet dhe gjithmonë kërkoj më të mirën nga vetja dhe dua të përmirësohem gjithnjë e më shumë.
KOHA: E mban mend herën e parë që ke kënduar një këngë të mirëfilltë në skenë?
E përmenda dhe pak më sipër .
KOHA: Meqë ra fjala, ke emër shumë të bukur, ka ndonjë kuptim të veçantë?
Emri im është bashkim emrash i shkronjave të para të emrit të mamit dhe të babit. Një emër i veçantë që më përshtatet më së miri pasi kam marrë shumë nga të dy.
KOHA: Pse suksesi nuk është njësoj te persona të ndryshëm, edhe pse mundësitë mund të jenë të njëjta?
Suksesi është diçka që nuk mund t’a parashikosh 100%. Ti ndërmerr një hap ku mund të mendosh se do të kesh sukses dhe ndodh e kundërta ose kur ti mendon se diçka nuk do të ketë sukses mund të jete krejt ndryshe. Që do të thotë se ka vend për të gjithë. Disa gjëra duhet të ndodhin në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Mjafton dhe rëndësi ka që asnjëherë mos dorëzohesh dhe të punosh gjithmonë e më fort. Që të kesh sukses duhet një punë e madhe dhe duhet të dish gjithmonë si të përshtatesh me publikun. Nuk mund të të pëlqejnë të gjithë por të paktën ata që të pëlqejnë do të sjellin gjithmonë sukses dhe do të bëjnë të ndihesh mirë dhe do të duan për atë që ti bën në rrugën e duhur, pa ekspozuar pjesë të panevojshme të paraqitjes fizike mjafton të jesh korrekte gjithmonë dhe të depërtosh nëpërmjet asaj që duhet, zërit!
KOHA: Ku e shikon veten në të ardhmen, pas 5-6 vjetësh për shembull?
Dëshira dhe pasioni për muzikën do jetë forca më e madhe për të prekur jo vetëm skenat më të mira në Shqipëri por edhe jashtë saj! Më falni për modestinë e tepërt, por edhe në këtë moshë kam prek shumë të tilla (Buzëqesh) 5-6 vite…?Pse jo një yll i ri shqiptar në tregun amerikan (Buzëqesh).
KOHA: A je e kënaqur me atë që ke arritur deri sot?
Jam e lumtur kur kujtoj veten para pasqyrës apo kur isha në dush dhe ëndërroja që një ditë zëri im të dëgjohej kudo..Jam krenare që arrita të depërtoj në treg, por punë e madhe më pret për të arrit majat… unë kam një moto për çdo aspekt që më rrethon “Diva or not”!. Nuk mendoj një pozicion të mesëm!(Buzëqesh)
KOHA: Ti vetë, përse ke dashur të bëhesh këngëtare?
Të bëhem këngëtare ka qenë ëndërr fëmijërie që nuk mund t’a lija në sirtar…! Faleminderit Zot që më dha forcë të mos ndalem edhe pse jam hasur me vështirësi pa fund dhe shpesh here më është dashur të jem edhe në rol mashkulli, për të treguar karakterin e fortë, fiks si një burrneshe e vërtetë…(Buzëqesh)
KOHA: E shikon këngën si profesionin që do ta bësh gjithë jetën?
Jo nuk e kam parë asnjëherë si profesion dhe nuk e shof veten të pozicionuar vetëm si këngëtare.
KOHA: Ka një këngë apo klip të ri në ardhje?
Kam 1, 2, 3, 4… nuk do vazhdoj të numëroj sepse kam vendos të mos ndalem (Qesh)
KOHA: Cila këngë do të mbetet në zemrën tënde përgjithmonë?
Çdo këngë ka të veçantën edhe stilin e vet që unë përpiqem herë pas herë të tregoj në publik që mund të përshtatem në shumë rrymë. Në zemrën time do të mbetet çdo këngë që do mbajë emrin tim derisa rrudhat të më ndajnë nga muzika (Buzëqesh)
KOHA: Si është Gerona përtej muzikës?
Përtej muzikës nuk ndryshoj shumë, përpiqem që në njëfarë mënyre t’a shfaq veten time ashtu si jam edhe tek këngët e mia. Nuk më pëlqen të shtirem dhe i them gjërat drejtpërdrejt ashtu si janë, kam një karakter të fortë dhe kur dua diçka e arrij prandaj edhe shpesh në shoqëri më thërrasin bisha ose nona. Kam shoqëri shumë të madhe por edhe miq shumë të afërt me të cilët kaloj pjesën më të madhe të kohës. Më pëlqen të ha mirë jam e apasionuar pas ushqimit. Jam njeri i ekstremeve, për mua nuk ka diçka të mesme!
KOHA: Na trego diçka interesante në mbyllje të kësaj interviste…
Nuk e si nëse është interesante fakti që jam nja nga ata njerëzit e thjeshtë më shumë se çfarë duhet dhe përpiqem të ul numrin e çmendurive që bëj edhe kur përpiqem shumë të mos jem një Mr.Bean nuk ka shans të shpëtoj nga situatat e çuditshme !! Rasti më i veçantë ka qenë Eurovison kur kam marrë pjesë si back vocaliste me Elhaida Danin dhe duke ec në paraden e shteteve finaliste unë kam qenë në rreshtin e parë me flamurin tonë në dorë dhe nuk e di pse vrapoja edhe jam penguar përballë kamerave në një mënyrë që s’kam për t’a harruar gjithë jetën.