Gërdeci

41

Tragjedia e Gërdecit u shfrytëzua vetëm si armë politike në duart e PS-së!Tragjedi të këtilla çdo vend e ‘bashkojnë rreth flamurit’ dhe krijojnë unitet, ku bashkohen të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë, për të analizuar tragjedinë shoqërore; këtu ndodhi ‘epten’ e kundërta!

Nga Shaqir ISLAMI

Kohët e fundit, u rishfaq tema e shpërthimeve të mëdha magazinash municioni, në Çeki dhe Bullgari. Dhe nisi largimi i diplomatëve. Një temë paksa befasuese, për ngjarje që kanë ndodhur vite më parë. Çekia akuzoi Rusinë, duke ia përzënë diplomatët. Dhe natyrisht, reagoi Rusia me po të njëjtën masë. Ngjau një shtegtim diplomatësh të ndërsjellë. Pra, kështu veprojnë ‘tamamile’ shtetet normale. Sekush e mbron interesin e vet! Ndërsa, tema e shpërthimeve rrodhi deri në Bullgarinë fqinje. Atje – siç lajmëron MIA – këtë çështje e kanë parashtruar kuvendarët në Kuvendin e fqinjit tonë : “Sipas kuvendarëve të Bullgarisë, kjo temë është jashtëzakonisht aktuale për publikun e Bullgar,për shkak se, jo zyrtarisht pohohet se specialistët Rusë kanë lidhje me shpërthimet në fabrikat ushtarake të bullgarisë. Ata cekin se në disa vite të fundit janë regjistruar 19 shpërthime në njësitë ushtarake në Bullgari, siç ka ndodhur edhe në Çeki në vitin 2014”. Pra, bëhet fjalë për dy shtete anëtare në NATO.

Në Çeki, më 2014-ën, paskësh shpërthyer magazina të municionit në Vërbetice, rajon i Zlinit. Pra,paskëshin ngjarë dy shpërthime të mëdha, në Tetor dhe në Dhjetor të 2014’ës. Pas gjashtë vite hulumtimesh shteti Çek vjen në përfundim: “sipas njohurive të Shërbimit për Siguri të Informacionit dhe të Policisë së Shtetit Çek, në shpërthimet e magazinave të municionit kanë qenë të përfshirë dy agjentë të GRU-së Ruse (Agjencia e Jashtme e Inteligjencës Ushtarake). Shtetit Çek iu desh 5 vite për të zbuluar se pse dhe si kanë shpërthyer magazinat me 50 tonë municion. Edhe në Bullgari ka ndodhur e njëjta gjë! Pasi krerët udhëheqës të shtetit çek – me fakte dhe argumente e akuzuan shërbimin e fshehtë të inteligjencës Ruse GRU – një grup kuvendar i Bullgarisë, i parashtruan Boris Bojkovit pyetje në lidhje me ndoshta ngatërrimin e të njëjtave shërbime edhe në vendin e tyre. Në këto kohëra të zymta politike – është e natyrshme të dyshohet dhe të jetë syçelë ndaj keqdashësve!

Por, një shpërthimi tillë ndodhi edhe në Shqipëri! Në Gërdec! Mu në hundë të Tiranës. Edhe atë shpërtheu 400 ton municion! Vdiqën 44 veta, u plagosën më se pesëfishi, u shkatërruan shtëpi e banesa … ndodhi një kiamet i vogël. U dëgjua deri në Çarshinë e Shkupit! Por, siç ndodhrëndomë me shqiptarët, nuk u dyshua fare tek asnjë i huaj, as tek shërbimet sekrete të huaja! Deri më këtë dakikë, nuk kam dëgjuar ndonjë informacion lidhur me ndonjë hulumtim të këtij rasti, apo ndonjë dyshim të hedhur ndaj ‘faktorit të jashtëm’ për këtë tragjedi. Gërdeci – për mua – ka qenë dhe ende është përplot dyshime dhe frymë enigmatike! Lajmet që ‘shpërthyen’ në Çeki dhe Bullgari ma trazuan sërish hamendjen time. Ndonëse, Shqipëria është në vlugun e etheve të pas zgjedhjeve të përdhosura, përderisa mediat-mercenare të atjeshëm janë duke krijuar mjegullnajë dhe tymnajë në hava, vetëm për ta maskuar sa më shumë krimin skandaloz të sistemit elektoral. Pra, janë të zënë me detyrë! Pra meqë ‘ata’ janë të zënë, për shkak të aktualitetit të temës, dua t’i shpreh dyshimet dhe tezat e mia lidhur me shpërthimin apokaliptik të Gërdecit.

Atëkohë, si nga mediat edhe nga kundërshtarët politik u fajësua vetëm një njeri. Sali Berisha! Rama ulëriti si ‘bishë politike’, me sa zë kishte: “Fajin e ka Saliu”. Dhe,më as që u interesua shteti, se çka dhe si ndodhi në atë ditë kiameti. Nuk kemi dëgjuar ndonjë informacion serioz në lidhje me atë tragjedi. Përveç akuzave nga PS-ja ndaj qeverisjes së PD-së, në Shqipëri aspak nuk u vënë – dhe ende nuk vihen në dyshim veprimet e shërbimeve të huaja, apo dikujt kush do qoftë!

Duhet rikujtuar kontekstin e ngjarjes. Qeverisja e Berishës- përveç se i shëronte plagët e shtetit nga qeverisja e papërgjegjshme dhe e dëmshme e kumarxhiut Nano – korrte suksese të papara. Në Shqipëri ndërtohej anekënd, turizmi kishte marrë hov, ekonomia lulëzonte, krimi ndëshkohej, … shteti normalizohej dhe fuqizohej. Shqipëria printe me investimet e huaja në Ballkan! Përveç tjerash, kryevepra e kësaj qeverisjeje Rruga e Kombit realizohej me vrull; ky është projekti më largpamës dhe jetik; kjo rrugë është aorta e Kosovës. Dalja në detin Adriatik është oksigjeni që ua preu shpresat të gjithë kundërshtarëve të pavarësisë së kësaj republike. Prandaj, Qarqe të caktuara të interesit politik ishin trazuar, dhe të hidhëruar; kështu që, Berisha duhej rrëzuar me çdo kusht! Gërdeci ishte një akt i terrorit politik, prandaj, kumtesa e saj duhej të jehonte në mbarë globin. Dhe lajmi i saj e zaptoi botën, si një bubullimë e madhe, në një ditë me diell. Gërdeci u shndërrua në armën më të fuqishme të PS-së në duet me 97’ën famëkeqe.

Përveç projektimit të urrejtjes dhe fajësisë tek prijësi i PD-së, Sali Berisha, shpërthimi në Gërdec ndikoi edhe në rrënimin e projekteve ambicioze për zhvillimin e turizmit. Në Shqipëri aspak nuk u vunë – dhe nuk vihen në dyshim veprimet e shërbimeve të huaja! A e dini pse? Siç duket ashiqare, shërbimet e huaja janë aq të familjarizuar me shqiptarët, sa që janë mishëruar ose shartuar në shërbimet e inteligjencës së vendit. Siç lënë mbresën dukuritë e ndodhura të gjertanishme ekonomike-shoqërore-politike, në këtë vend nuk dallohet fare qartë se kush punon për vendin dhe kush për të huajt! Me sa duket, gati secili në këtë vend është i zënë me punë dhe shërbim për ndonjë agjenci, ‘kompani’ , OJQ, media, sidomos shoqatat e bamirësisë dhe ato fetare … gati se që të gjitha janë në shërbim të agjencive fshehta të huaja.‘Kolumna (shtylla) e pestë’ në Shqipëri është një zanat normal si: elektricisti, bujku, prifti,hoxha, gazetari, arsimtari, profesori, …Shumica punojnë për të huajt; shumë pak punojnë për vendin, bile hapur.

Skandali para do moti që rrodhi në mediat Greke me listën e pagesave të Ministrisë së Jashtme të këtij fqinji ‘dashamir’, as që çoi pluhur në sferën publike. Ndonëse lista përbënte emra publik si gazetarë, artistë e politikanë, .. nuk iu kushtua kurrfarë vëmendje. Në çdo shtet normal do kishte shkaktuar një shpërthim të përmasave të Gërdecit. Por, këtu u shpërfill dhe iu bë bisht, me një lehtësi të paparë diku. Shpërfillja e këtillë e tradhtisë, krijon bindjen se tradhtia është shndërruar në vlerë morali dhe etik.

Në anën tjetër, tragjedia e Gërdecit u shfrytëzua vetëm si armë politike në duart e PS-së!Tragjedi të këtilla çdo vend e ‘bashkojnë rreth flamurit’ dhe krijojnë unitet, ku bashkohen të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë, për të analizuar tragjedinë shoqërore; këtu ndodhi ‘epten’ e kundërta! Opozita e shndërroi këtë ‘kiamet të vogël’ në armë shkatërruese politike. Sulmi politik dhe akuzat histerike të zhurmshme krijuan frymën e përçarjes dhe të shpërthimit të urrejtjes ndaj pushtetit. Dikush ia hapte rrugën PS-së drejt pushtetit! Për fat të keq Gërdeci ende nuk është hulumtuar si në Çeki, por ende përdoret si armë politike kundër PD-së, dhe sidomos të vetmit Burrë Shteti në atë vend, Sali Berisha.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)