Shkup, 16 maj – Pushteti i deritanishëm ka strukturat e veta në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në biznes, në gjyqësi dhe në media. Në një situatë të këtillë, ndryshimet nuk do të jenë as të shpejta, por edhe as të lehta, thotë kryetari i VMRO-Popullores dhe ish kryeministër, Lubço Georgievski. Ai në një prononcim për Dojçe Vele, transmeton gazeta KOHA, është shprehur se pret lëvizje në skenën politike pas zgjedhjes së qeverisë së re, si në aspektin e reformave, por edhe sa i përket lëvizjeve të caktuara kadrovike për shkak të pakënaqësive nga politikat e liderëve dhe atyre partiake. Georgievski nuk hyjnë në vlerësime nëse këto lëvizje mund të ndodhin edhe në VMRO-DPMNE, por thekson se ndryshimet kryesore që do të ndodhin në skenën politike do të përballen me shumë sfida. “Maqedonia tani ndodhet para ndryshimeve të mëdha dhe të vështira, implementimi i të cilave nuk do të jetë i shpejtë dhe i lehtë edhe pas formimit të Qeverisë. Transferimi i pushtetit dhe të gjitha ndryshimet e mëtejme do të jenë të ngadalta dhe të rënda, sepse pushteti i deritanishëm në vitet e kaluara gjithkund ka lëshuar rrënjë me strukturat e veta-Në MPB, në biznes, në administratë, në gjyqësi, në media…Si mund të prisni ndryshime të shpejta në një situatë të këtillë? Shikoni vetëm gjendjen në gjyqësi. Sa shumë kohë duhet për të implentuar reformat ë thella vetëm në gjyqësi? Po në sferat tjera? Mu për këtë them se këto do të jenë reforma të ngadalta dhe të rënda, të ngjashme si në kohën pas rënies së komunizmit në shtet tranzicional”, konstaton Georgievski.
Ish bashkë partiakët e Nikolla Gruevskit, që sot i bëjnë oponencë atij me partitë e tyre, Lubço Georgievski, Lube Boshkovski dhe Stojançe Angelov, nga java e ardhshme do të fillojnë me aktivitete për përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Takimi i kësaj treshe të liderëve të hënën ka zgjuar interes të madh, duke patur parasysh faktin se takimi mes tyre u mbajt në kohë kur partia e tyre e dikurshme-VMRO-DPMNE ndodhet para sfidave të mëdha dhe nevojës për reformat ë brendshme. (koha.mk)