Genoa kthen në Itali mesfushorin holandez

9

Kevin Strootman po përgatitet të nisë përvojën e dytë në Itali. Goditjen e madhe po e bën Genoa, që kërkon të zhvillojë një pjesë të dytë të sezonit të qetë në funksion të qëndrimit në Serinë A. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mesfushori holandez ka zbarkuar në Genoa dhe në orët e ardhshme iu nënshtrua ekzaminimeve të zakonshme mjekësore si dhe nënshkroi kontratën që do ta lidhë me këtë skuadër deri në fund të sezonit.

Bëhet fjalë për transferim në formë huazimi, teksa Olimpique Marseille do t’i paguajë gjysmën e pagës lojtarit. Një zgjidhje e dobishme për Genoan, e cila, duke vepruar kështu, siguron një lojtar me shumë përvojë.

Strootman kthehet në Serie A, ku më parë ka luajtur për pesë vite me Romën, nga 2013 në 2018, një periudhë kohe në të cilën kaloi dy dëmtime serioze në gjurin e tij të majtë. Me gjithë vështirësitë, ai provoi se ishte një nga më të mirët në rolin e tij.