Jo pa të drejtë pamjet në Kapitoll dhe ato të parlamentit në Shkup, me zhvillimet e 27 prillit u krahasuan shpejtë. Nuk ishte ngjashmëria veç tek njerëzit e folklori, por edhe tek pushtetmbajtësit që shanin e mistifikonin kritikët, tentonin të dominojnë mediat, dhe me propagandë të përhapin idetë por edhe gënjeshtrat e tyre me aq papërgjegjësi sa ndjekësit shkaktuan dhunë deri me pasoja fatale. E tashmë, fraza për të justifikuar budallallëkun politik “kur ndodh në Amerikë, pse jo dhe te ne”, na mëson se kujdesi për demokracinë, lirinë, mendimin ndryshe duhet të jetë konstant
Nga Nazim RASHIDI
WhatsApp, aplikacioni për komunikime kryesisht në telefona të mençur, e i njohur për faktin se konsiderohet i sigurt sepse nuk ndërhyhet tek mesazhet apo dhe bisedat e njerëzve po përballet këto ditë me sfidë serioze. Miliona njerëz po migrojnë në aplikacione të tjera të ngjashme dhe arsyeja është sepse aplikacioni i njoftoi njerëzit se do ndryshojnë disa rregulla dhe se kompania që është pronare, Facebooku, mund të përdorë disa nga të dhënat nga ky aplikacion. Ndonëse WhatsApp thotë se nuk do ndërhyhet tek mesazhet e bisedat dhe ato sërish do mbesin të sigurta, shumë njerëz nuk ndihen të sigurt.
Facebook ka në pronësi edhe Instagram-in, aplikacionin e njohur që komunikon kryesisht me foto dhe nëse merren të dhënat tona, preferencat tona, sjelljet tona në rrjet, kompani të tilla që kryqëzojnë të dhënat mund të ndërhyjnë më pas me mesazhe të tjera që i përhapin në platformat e tyre duke arritur të ndikojnë në mendimet dhe bindjet tona.
I përmend këto sepse shumë studime tashmë sugjerojnë se rrjetet sociale dhe interneti edhe pse do të duheshin të japin opsione për të zgjeruar dijet dhe shikimet për botën, në fakt, tashme me algoritmet dhe përhapjen e të dhënave për preferencat tona, fillimisht komerciale por tashmë edhe ideologjike, na japin vetëm ato gjëra që ne duam. Kjo krijon iluzionin se e vërteta jonë dominon edhe në internet dhe kështu bindjet tona përforcohen në vend se të sfidohen. Mungesa e sfidës heq mendimin kritik dhe krijon adhurues e ndjekës të atyre që e kontrollojnë mesazhin.
Dhe kjo është e frikshme, pasi në morinë e informacioneve dhe në epokën e lajmeve të rrejshme, shumë njerëz që as kanë kohë, e as e dinë dhe as e kanë për detyrë të verifikojnë, bien pre e mashtrimeve. E kur jemi këtu politika i dashuron mashtrimet dhe si rrjedhojë duke përdorë sot dhe teknologjinë përpiqet të manipulojë qëndrimet tona për të marrë pushtetin. Këto mbase politika e ka bërë përherë , por sot ky “standard” i politikës e politikanit i fuqizuar edhe me teknologjinë e pastaj edhe me populizmin që është trend, sjellin në skenë politikanë autoritarë, që gënjeshtrën e përdorin si armë, e përhapin në masë dhe përpiqen që të dominojnë hapësirën duke mos lejuar të tjerët të thonë të vërtetat apo qoftë dhe gënjeshtrat e tyre.
Presidenti Trump për shembull, është në krye si tipiku i kësaj sjelljeje. Logjika e politikanëve me prirje të tillë autoritare e populiste është se sa më e madhe gënjeshtra aq më lehtë besohet ajo.
Pak ditë më parë gazeta e njohur New York Times botoi një artikull analizë me titull “Arti i gënjeshtrës? Sa më e madhe aq më mirë” (“The Art of the Lie? The Bigger the Better”) autori bazohet edhe në idetë e filozofit Alexandre Koyrétek libri “Refleksione mbi gënjeshtrën” i cili që në vitin 1943 kishte shkruar se gënjeshtra s’kishte qenë asnjëherë aq shumë e përhapur se atëherë, apo e paturpshme, sistematike dhe e vazhdueshme. Pra bëhet fjalë për periudha historike ku teknologjia as që mundësonte përhapjen rrufe të informacionit siç ndodh sot dhe filozofi Koyré, sërish shprehte shqetësime për gënjeshtrën e politikën. Ai gjithashtu citohet në artikull ku thotë se ajo që është më shqetësuese është se gënjeshtrat s’kanë pse të jenë të logjikshme. Përkundrazi. Sipas tij, sa më e madhe gënjeshtra aq më shpejtë besohet e ndiqet.
I tillë ishte rasti madje edhe në Britaninë e Madhe, që konsiderohet maja më e lartë e demokracisë, ku gjatë debateve për Brexit, daljen ose jo të vendit nga BE, u përhap aq shumë gënjeshtra se kur Britania do të dilte nga BE, 350 milion paund në javë do të kalojnë tek sistemi shtetëror shëndetësor. Këtë gënjeshtër e mbështeti edhe Partia Konservatore që më pas vetë kryeministri Boris Johnson të pranojë se ajo deklaratë ishte “gabim”, por vetëm pasi vendi votoi për daljen nga BE.
Padyshim që në këtë logjikë që lidh gënjeshtrën dhe politikën në krye të vëmendjes është Presidenti Donald Trump, i cili bashkë me teknologjinë, por mbase edhe si politikani më pak i përgjegjshëm për pasojat që mund të linte, sipas artikullit merrte gënjeshtrat dhe i përhapte në masë duke nxitur miliona njerëz edhe ti besojnë edhe ta ndjekin atë. Kjo ndodhte që nga teoritë konspirative që ia mbështeste e deri së fundmi për mospranimin e rezultatit zgjedhor dhe nxitja e dhunës të pa precedentë në Uashington që solli dhe impiçmentin e dytë të tij. Ai po ik nga pushteti si president historik, me dy impiçmente e duke lënë SHBA-të por dhe botën në debate për presidencën, politikat, trashëgiminë që po le si dhe për brishtësinë e demokracisë.
Por rasti i tij, nuk duhet të mbesë i largët, të diskutohet nga distanca, apo dhe me lehtësi sepse nga larg ne nuk i jetojmë detajet e politikbërjes së tij. Duhet marrë si leksion, aq më shumë sepse kishte politikanë lokalë këtu që hapur e merrnin si model kur thoshin se as “Trump-in se duan por ai qeveris”, apo “kur e bën Trump, pse jo dhe unë” e pa menduar për pasojat e demokracisë tonë.
Zhvillimet e fundit në SHBA duhet të sjellin këtë dimension, se teknologjia e përdorur ndaj njerëzve me keqdashje, e sidomos ndaj atyre me më pak dijeni se si funksionin interneti, nga njerëz e struktura që se njohin e as e duan demokracinë, mund të sjelle pasoja afatgjate. Jo pa të drejtë pamjet në Kapitoll dhe ato të parlamentit në Shkup, me zhvillimet e 27 prillit u krahasuan shpejtë. Nuk ishte ngjashmëria veç tek njerëzit e folklori, por edhe tek pushtetmbajtësit që shanin e mistifikonin kritikët, tentonin të dominojnë mediat, dhe me propagandë të përhapin idetë, por edhe gënjeshtrat e tyre me aq papërgjegjësi sa ndjekësit shkaktuan dhunë deri me pasoja fatale.
E tashmë, fraza për të justifikuar budallallëkun politik “kur ndodh në Amerikë, pse jo dhe te ne”, na mëson se kujdesi për demokracinë, lirinë, mendimin ndryshe duhet të jetë konstant. Në të kundërt, po edhe Amerikës i ndodh ballkanizimi sepse rregulli është i njëjtë, nëse nuk respekton ligjet, nuk njeh demokracinë, përdor pushtetin për agjendat e caktuara, për keqpërdorime apo dhe për të mposhtur e përhapur gënjeshtra për rivalët, s’kemi të bëjmë me demokracinë. Po, po, edhe në SHBA edhe këtu e njëjta pasojë është. Demokracitë tona të brishta këtë duhet të mësojnë, nga demokracitë e mëdha! Në të kundërt do mbesim në zhvillim edhe gjatë. SHBA për shkak të historisë dhe traditës do të tejkalojë situatën. Pa dyshim do merret ende me pasojat e trumpizmit, por qartë më, me kujdes të madh ndaj vlerave që i sjell kushtetuta amerikane, që edhe për ne kanë qenë synim.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)