Një nga emrat më të mirë të muzikës live që nuk ndalet brenda një viti është edhe këngëtari kosovar Gazmend Kelmendi-Gaza, i cili sapo ka hedhur në qarkullim projektin e titulluar “Tradita” një këngë e bukur ku në videoklip ai shfaqet me gjyshin, babain dhe djalin e tij. Për më shumë, në intervistën për shtojcën INFRARED të gazetës KOHA flet këngëtari Klemendi
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Je rikthyer pas një sezone të ngjeshur me një klip kushtuar traditës tonë, aty shfaqesh me gjyshin, babain dhe djalin, nga kjo ide?
KELMENDI: Pasi jemi katër breza me këtë rast kam dashur të shpreh traditën tonë shqiptare, dashuria për familjen si dhe për atdheun të cilin e trashëgojmë brez pas brezi.
KOHA: Je një nga emrat më të kërkuar të muzikës live, nga e merr gjithë këtë energji dhe deri kur mendon të vazhdosh?
KELMENDI: E kam gjithë këtë energji, sepse e kam pasion këndimin dhe nuk më duket vetja q lodhem duke kënduar nëpër ahengje të ndryshme, derisa e shoh nuk mund të jap maksimumin tim në skenë.
KOHA: Sa projekte numëron deri më tani Gazmendi?
KELMENDI: Kam realizuar dhjetë këngë, kurse tetë prej tyre janë realizuar edhe me videoklip.
KOHA: Jeton në Suedi po karrierën kryesisht e zhvillon në trojet shqiptare, sa të vështirë e ke këtë?
KELMENDI: Është pak e vështirë, por me vullnet po ia dal.
KOHA: Ke menduar të shfaqesh në ndonjë festival?
KELMENDI: Dëshirë kam, por projektet tjera më kanë marrë kohën dhe nuk kam mund t’ia dal mbanë, por ndoshta brenda vitit të ardhshëm mund të shfaqem në ndonjë festival.
KOHA: Cilat janë planet që je duke përgatitur deri në fundvit?
KELMENDI: Sapo kam përfunduar disa kolazhe me këngë dasmash të cilat do i shfrytëzoj për xhirimet e fundvitit, poashtu do hedh në treg një këngë të re që është baladë nga fundi i muajit nëntor.
KOHA: Dasmat janë gjithmonë pjesë e jetës tënde, si e zhvillon një program artistik?
KELMENDI: Po zakonisht jam shumë i angazhuar në dasma gjatë tërë vitit si në Suedi ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni.
KOHA: E dimë që ke një djalë, a mendon për zgjerim të familjes?
KELMENDI: Po, djali im Alteo i cili është 5 vjeç. Po patjetër, por jemi duke pritur lejlekun (qesh).
KOHA: Sa xheloze është bashkëshortja duke e ditur që tashmë ke një armatë simpatizantesh?
KELMENDI: Për fat të mirë nuk është aspak xheloze, të paktën mua nuk më shpreh atë (qesh), por jam me fat që e kam sepse pa mbështetjen e saj nuk do ia dilja dot.