Gostivar, 25 mars – Përfaqësuesit e Vetëqeverisjes Lokale, shoqata EkoGB dhe kompania Vardar Dolomit në takimin e sotëm biseduan për tejkalimin e gjendjeve me ndotjen e ajrit.
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe përfaqësuesit e Shoqatës EkoGB patën mundësi nga afër të njoftohen me standardet për mbrojtje nga ndotja e ajrit me të cilat punon fabrika për materiale rezistente ndaj zjarrit.
Nga EkoGB kërkojnë të fillohet me aksion më të gjerë dhe bashkëpunim të shumë institucioneve, sepse siç përmendën nëse nuk ndërmerren masa, ndotja në mënyrë drastike do të rritet.
“Edhe pse Gostivari nuk është qytet industrial megjithatë ka ajër të ndotur. Mungesë është edhe mospasja e regjistrit të ndotjes me çka do të kuptohet kush dhe me ç’farë materie e ndot ajrin. Nuk jemi për sanksione, por të vendoset dialog për tejkalimin e gjendjeve. Nëse ashtu siç thonë shërbimet inspektuese se fabrikat me licencat A nuk ndotin, atëherë duhet të zbulojmë se kush e bën atë”, thotë Ahmet Selami nga shoqata qytetare EkoGB.
Nga kompania Vardar Dolomit konfirmuan se në ditë shpenzojnë nga një ton mazut dhe se tërë prodhimtaria është siguruar me filtra adekuat dhe sipas standardeve ekologjike. Si kompani shpresojnë se problemet me emisionin e materieve të dëmshme do të zvogëlohen shumë nga përdorimi i gazit industrial si energjens.
Në këtë drejtim si zgjidhje të mundshme për zvogëlim të ndotjes së ajrit, pushteti komunal planifikon ta përshpejtojë gazifikimin e komunës, e cila sipas paralajmërimeve duhet të fillojë më së shumti për dy vjet.
“Si vetëqeverisje lokale duam të ndihmojmë për gazifikim më të shpejtë, në kohën e parë të kapaciteteve industriale, shkollave dhe spitaleve të cilat si energjens e përdorin mazutin. Për këtë qëllim tashmë filluam me përpunimin e projektit ideor për gazifikim”, tha kryetari i komunës Taravari.
Ajri ambiental në Gostivar në periudhën e dimrit është shumë i ndotur me grimcat PM10, ndërsa qytetarët shpesh herë ankohen për erë të pakëndshme. (koha.mk)