Tani më dy vite që nga fillimi i pandemisë, përveç organizatave të shoqërisë civile të cilat angazhohen dhe bëjnë shtypje që spitalet të gazifikohen nga autoritetet shtetërore nuk japin sqarime dhe as nuk përmendin se kur do të zëvendësohen sistemet e ngrohjes në shumicën e spitaleve në vendin tonë
Zenel MIFTARI
Shkup, 1 dhjetor – Oxhaqet e spitaleve vazhdojnë të jenë një ndër ndotësit kryesor të ajrit edhe gjatë këtij dimrit. Tymi po rëndon ajrin në Shkup dhe qytete tjera të vendit gjatë mëngjesit dhe gjatë mbrëmjes, pikërisht atëherë kur kaldajat e vjetra digjen me shpejtësi. Nga autoritetet shtetërore, përmendet se virusi korona ka ndaluar planet për gazifikimin e spitaleve në vendin tonë. Tani më dy vite që nga fillimi i pandemisë, përveç organizatave të shoqërisë civile të cilat angazhohen dhe bëjnë shtypje që spitalet të gazifikohen nga autoritetet shtetërore nuk japin sqarime dhe as nuk përmendin se kur do të zëvendësohen sistemet e ngrohjes në shumicën e spitaleve në vendin tonë. Pasi që sistemi i ngrohjes në numrin më të madh të spitaleve, përdorin lëndë të rrezikshme djegëse dhe ndotin ajrin gjatë sezonit të dimrit. Ku dhe shkaktojnë dëme shëndetësore te qytetarët e vendit dhe sidomos te ata me sëmundje kronike. Se gjendja me ndotjen e ajrit është shumë e rënd tregon dhe rritja e diagnostifikimit të sëmundjes së kancerit në Ohër. Drejtori i spitalit të Ohrit, Goran Balev, ka deklaruar se brenda një viti numri i operacioneve që bëhen në spital është rritur. “Çdo ditë kemi operacione të kancerit të testikuj, prostatë dhe në veshkë”, ka deklaruar ai.
Organizata joqeveritare Iniciativa O2, ka paralajmëruar se spitalet me hapa të ngadalshëm po gazifikohen. “Gjinekologjia në Çair ka kaluar në gaz në shtator 2020, ndërsa spitali i përgjithshëm në Strumicë filloi të ngrohet me gazë gjatë kësaj sezone. Gjithashtu edhe spitalet në Manastir, Tetovë, Prilep, Ohër, Gostivar, Kavadar, Gjevgjeli, Veles, Shtip, Strugë, Kërçovë, Koçan, Negorci, Instituti i sëmundjeve të mushkërive te fëmijët në Kozle, Spitali Psikiatrik në Bardovci, të gjithë këta spitale ngrohen me mazut, naftë apo naftë të lehtë, të cilat janë jo ekologjike dhe të dëmshme për shëndetin e njeriut. Ndërkohë nga ana tjetër Qeveria ka premtuar se deri në vitin 2024 asnjë institucion shtetëror nuk do të ngrohet me sisteme ngrohjeje të vjetra dhe joekologjike”, thuhet në Iniciativën O2.
Iniciativa O2 thekson se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, para tre vitesh tha se gazifikimi i spitalit të përgjithshëm në Kumanovë është prioritet, por në vitin 2022 ky spital do të ngrohet me naftë. Ndërkohë që nga viti 2017 Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë, ka përgatitur një projekt gazifikimi si dhe ka ndërtuar një tub furnizimi me gaz për spitalin. Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës u shërben më shumë se 200.000 banorëve të rajonit verilindor në vend. Ndërkohë që ky spital ngrohet me naftë dhe lëndë djegëse fosile dhe është një nga ndotësit kryesorë në vend.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka deklaruar se Komuna e Kumanovës ka bërë furnizimin me gaz në pikën kryesore të furnizimit në Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë. “Ne presim që Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Spitalin e Përgjithshëm Kumanovë do të përshtatin instalimin dhe sistemin ekzistues të ngrohjes dhe të investojnë për të kaluar në shfrytëzimin e gazit dhe të ulet ndotja e ajrit”, tha Dimitrievski.
Ministria e Shëndetësisë ndërkohë ka bërë të ditur se në kuadër të efikasitet të energjisë në sektorin publik janë nominuar 28 objekte në sektorin e shëndetësisë ku do të përmirësohet infrastruktura. “Nominimi bazohet në gjendjen e institucioneve dhe përmes kornizës për partneritet me Bankën Botërore, Projekti i efikasitetit të energjisë në sektorin publik do të zbatohet me një infrastrukturë krejtësisht të re”, deklarohen nga MSH. Ndryshe, gjatë sezonit të dimrit Shkupi shpeshherë renditet në një ndër qytetet më të ndotura në botë. (koha.mk)