Ka mjaftuar vetëm një ndeshje miqësore ndaj skuadrës së Istanbul Basaksehir që disa prej lojtarëve të skuadrës së Kukësit të bien në sy të menaxherëve të ndryshëm dhe kryesisht të atyre të klubeve turke. Një prej lojtarëve që ka marrë edhe një ofertë konkrete në përfundim të ndeshjes në të cilën Kukësi u mund në shifrat 3-1 është edhe Nijaz Lena. Mesfushori shqiptar i Maqedonisë është kontaktuar nga drejtuesit e klubit të njohur të Gaziantepspor që duket se është gati të paguajë për të marrë shërbimet e mesfushorit 30-vjeçar, i cili prej vitesh është pjesë e kampionatit shqiptar. Por, edhe pse presidenti Gjici pas asaj ndeshjeje ka bërë me dije se nuk do të lërë të lirë lojtarët e tij, madje nuk kishte asnjë ofertë, duket se situata ka ndryshuar. Burime të “Panorama Sport” kanë bërë me dije se klubi turk ka arritur në parim një akord me futbollistin dhe mund të paguajë deri në 50 mijë euro për kartonin e tij që është në pronësi të Kukësit, por mungon marrëveshja. Pengesë për një gjë të tillë është presidenti Gjici, që ende nuk është bindur për të lënë të lirë mesfushorin.
Kërkesa
Shkak që presidenti Gjici nuk ka lënë të lirë lojtarin e tij mësohet të jetë oferta që klubi turk ka bërë për kartonin e Lenës. 50 mijë euro sipas Gjicit janë shumë pak për një lojtar që vlerësohet shumë nga ai vetë dhe stafi teknik dhe nevojitet për gjysmën e dytë të kampionatit. Klubi kuksian ka kërkuar 150 mijë euro dhe një kërkesë e tij u është bërë përfaqësuesve të Gaziantepsporit nga agjenti i futbollistit.
Por, pavarësisht kësaj shume, tratativat vazhdojnë dhe në ditët në vijim palët mund të arrijnë një akord edhe pse në pamje të parë shifrat nuk të lënë një përshtypje të tillë pasi flitet për diferenca të mëdha. Vetë futbollisti shpreson që mes palëve të gjendet marrëveshja e bashkëpunimit, pasi vetëm kështu mund të largohet.
Kukësi është në garë për titullin kampion dhe në rast largimi të një lojtari si Lena, mesfusha e skuadrës së drejtuar nga Gjoka do të ketë një humbje të madhe. Por në rast se klubi turk paguan një shifër të konsiderueshme financiare, atëherë drejtuesit verilindorë mund të hyjnë në merkato për të marrë një tjetër futbollist cilësor që të plotësojnë vendin e lënë bosh.