Qëllimi është të zgjidhet një investitor serioz privat i cili për 4-5 vite do të sjellë gazin deri tek të gjithë shfrytëzuesit në vend
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 janar – Qeveria para dy javësh miratoi vendimin për nisjen e procedurës për ndarjen e koncesionit të marrëveshjes me partneritet privat publik për financimin, projektimin, ndërtimin, menaxhimin , mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit në vend. Nga Resurset Nacionale Energjetike, thonë se ky model pritet të ofrojë model më të mirë me qëllim që gazi edhe të vijë deri tek amvisëritë dhe shfrytëzuesit e tjerë me ndërtimin e rrjetit sekondar , krahas ndërtimit të rrjetit primar që është në përfundim e sipër dhe që po e përfundon shteti, duke sjellë gazin nga jashtë. Qëllimi është të zgjidhet një investitor serioz privat i cili për 4-5 vite do të sjellë gazin deri tek të gjithë shfrytëzuesit në vend. Njëherazi çmimi për një metër katror gaz do të jetë shumë më i lirë në rast se ka vetëm një operator, në vend se të ketë më shumë operatorë me më shumë tarifa të ndryshme. Duke ilustruar nevojën për racionalizimin e furnizimit me gaz në vend, nga Resurset Energjetike të Maqedonisë, theksojnë edhe shembullin e Francës me 60 milion banorë që ka vetëm një operator, andaj kur në Francë si një shtet të pasur nuk mund të funksionojnë gjërat në nivel të komunave, aq më pak kjo mund të funksionojë tek ne duke marrë parasysh kapacitetet tona financiare.
Analizat tregojnë se në rast se Komisioni Rregullator i përllogarit tarifat, ato do të kenë për bazë harxhimet për investim dhe mirëmbajtje , dhe në këtë rast çmimi i fundit që do ta paguajnë qytetarët si konsumatorët e fundit do të jetë shumë më i lartë. Andaj edhe po shkohet për të pasur një operator të vetëm në nivel të shtetit.
Vendosja e ngrohjes me gaz për amvisëritë dhe kyçja e tyre pritet të mbështetet edhe me subvencione nga ana e shtetit për shkak të kostos së lartë.
“Për një familje mesatare me një banesë prej 80 metra katror do të nevojitet diku rreth 1500 euro që të përshtaten instalimet dhe të lidhen në rrjet. Andaj duke marrë parasysh edhe mundësinë e amvisërive, planifikohet që qeveria të mbulojë në aspektin financiar, pjesën më të madhe të këtyre mjeteve”, thotë drejtori I Resurseve Energjetike të Maqedonisë , Bajram Rexhepi.
Në ndërkohë, Maqedonia krahas rrjetit ekzistues që sjell gazin nga Bullgaria, do të ketë edhe një burim shtesë edhe nga Greqia me qëllim të uljes së çmimit . Maqedonia në të ardhmen do të fitojë gazsjellësin e dytë në drejtim të Greqisë , pas atij të ndërtuar në drejtim të Bullgarisë. Qëllimi është që lidhja e re energjetike me Greqinë të sigurojë për Maqedoninë stabilitet energjetik në rast të ndërprerjes eventuale të punës së gazsjellësit në drejtim të Bullgarisë , ndërsa rritja e konkurrencës do të sjellë edhe dhe çmime më të ulëta të gazit natyror.
Në gjysmën e dytë të këtij vitit pritet që të përfundojnë dy linjat kryesore të gazsjellësit primar në Maqedoni si ai Shkup-Tetovë-Gostivar dhe Negotinë-Manastir.
Gazfikimi pritet të sjellë energjens më të lirë për amvisëritë, mbrojtje të ambientit si dhe mbështetje më të madhe për biznesin me uljen e kostove për konsumin e energjisë.
Ndryshe, gazifikimi në Maqedoni që si projekt paralajmërohet që nga viti 2007 akoma ka mbetur projekt i papërfunduar . Qytetarët dhe biznesi si duket do të duhet të presin edhe pesë vitet për të shfrytëzuar benefitet e ngrohjes më të lirë me gaz dhe uljes së kostos së punës. Paraprakisht , dështuan tre përpjekje për gazifikimin e tërësishëm të Maqedonisë . Në Maqedoni aktualisht po përfundohen gazsjellësit prej Negotinë deri në Manastir me gjatësi prej 92 km dhe prej Shkupi deri në Gostivar i gjatë 76 km. Në periudhën e kaluar u përfundua gazsjellësi prej Kleçovce të Kumanovës deri në Shtip, ndërsa në vitet 90-të të shekullit të kaluar u ndërtua lidhja me Bullgarinë dhe u sigurua gaz natyror për Kriva Pallankën, Kumanovën dhe Shkupin. Në kryeqytetin e Maqedonisë aktualisht shumë ngadalë po shkon shfrytëzimi i gazit natyror dhe atë vetëm nga një pjesë e industrisë, disa objekte shëndetësore, dhe shkollave fillore dhe të mesme në Shkup. Vonesa në ndërtimin e rrjetit primar në tërë vendin por edhe e atij sekondar që në fakt edhe sjell gazin deri tek konsumatorët e fundit , pamundëson që edhe amvisëritë të shfrytëzojnë gazin për ngrohje. (koha.mk)