Evis HALILI
Shkup, 8 shkurt – Për t’u informuar qytetarët i referohen më shumë burimeve mediatike. Një lajm i njëjtë perceptohet më mirë prej tyre nëse ndiqet në disa edicione informative, apo lexohet në disa gazeta. Kështu konstatohet në një hulumtim të bërë nga Agjencia e shërbimeve mediatike audiovizuale (ASHMA), i pari i këtij lloji në Maqedoni, lidhur informimin mediatik të popullsisë së rritur, shkruan gazeta KOHA. Ajo që të bën përshtypje tek të anketuarit është se më shumë se gjysma (mbi 62 për qind) janë të mendimit se një ngjarje e njëjtë pasqyrohet në forma të ndryshme nga televizionet, radiot apo edhe portalet. Rezultatet janë të kundërta sa i takon mediave të shkruara, ku pjesa më e madhe e të anketuarve janë të mendimit se një ngjarje e njëjtë kryesisht pasqyrohet pa ndonjë dallim të madh nëpër gazeta. Kur përballen me versione të ndryshme të raportimit për një lajm të njëjtë është interesant fakti se të anketuarit janë të predispozuar që t’i pranojnë versionet e plasuara (mbi 50 për qind), ndërsa pjesa tjetër (45,9 për qind) i hedhin poshtë. Si të mirëqena perceptohen informacionet mediatike nga më shumë se 62 për qind e të anketuarve. Sa i takon pyetjes nëse mediat që të jenë atraktive dhe të besueshme duhet të jenë të lira dhe objektive opinioni ndahet në mënyrë të barabartë,më shumë se treçereku i të anketuarve është përgjigjur pozitivisht. Një e dhënë tjetër interesante është se mbi 74 për qind e të anketuarve preferojnë të informohen nga më shumë burime mediatike dhe vetëm një pjesë me e vogël, 22,85 për qind informohen vetëm nga një media. sa i takon përdorimit dhe informimit përmes internetit më shumë se gjysma distancohen nga përmbajtja e produktit që konsumojnë dhe e mesazheve që përcjell. Lidhur me besueshmërinë e portaleve dhe vlerësimin e objektivitetit të tyre apo jo treçereku i të anketuarve pohojnë se për një lajm bëjnë krahasime mes më shumë portaleve, por edhe mediave të tjera për të gjykuar vërtetësinë apo objektivitetin. Hulumtimi është realizuar nga “Target komunikimet” nga 14 nëntori deri më 8 dhjetor duke anketuar mbi 1500 persona të moshave mbi 16 vjeç. Sipas Meri Pop-Kostovës, konsulente në Target Komunikimet ky lloj hulumtimi është i pari që bëhet mbi një problematike të tillë, ndërsa anketimi ka më shumë rezultate që lidhen me përmbajtjet e ndryshme dhe produktit të përgjithshëm mediat dhe perceptimit të tij nga qytetarët, bazuar në rreth 20 pyetjet e drejtuara. Drejtori i ASHMA, Zoran Trajçevski, u shpreh se hulumtimet të ngjashme do të vijojnë të realizohen nga Agjencia në drejtim të zhvillimit dhe promovimit të informimit mediatik dhe janë në kuadër të Programit për nxitjen e informimit mediatik, të vetëdijesimit për konceptet e informimit dhe të perceptimit sa më të mirë produkteve mediatike, lajmeve dhe përmbajtjeve të tjera në televizione, radio, gazeta dhe revista, si edhe internet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.