Nëse vlerësojmë se në një shoqëri demokratike është e nevojshme të ekzistojë media e shkruar, u shpreh më tej kryetari i AMMNSH, Lirim Dullovi, është koha ta vërtetojmë në praktikë. “Kjo duhet të bëhet me miratimin e një Ligji të posaçëm, i cili ndër të tjera do të përcaktojë një buxhet të arsyeshëm, i cili realisht do ta shpëtojë median e shkruar”
Shkup, 24 qershor – Liria e shprehjes është shtyllë themelore e demokracisë dhe për këtë vendi ka nevojë për media të pavarura dhe plurale. Media e shtypur ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e standardeve në profesionin e gazetarisë dhe për këtë arsye – shteti duhet të vendosë një zgjidhje sistematike për mbështetjen e tyre. Është gjithashtu e nevojshme që të ketë një dialog dhe debat të vazhdueshëm të përbashkët për zhvillimin e sferës mediatike dhe respektimin e standardeve dhe rekomandimeve ndërkombëtare. Këto ishin konkluzionet e diskutimit publik të djeshëm të organizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe Asociacionin për Mbrojtjen e Mediave Nacionale të Shtypura (AMMNSH). Sipas ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Haliti, pikërisht mediat e lira dhe të pavarura mundësojnë monitorimin e çështjeve të politikave publike, dhe me komente dhe opinione kontribuojnë në formimin e opinionit publik.
“Liria e shprehjes është një shtyllë bazë e demokracisë. Mediat e lira dhe të pavarura mundësojnë monitorimin e çështjeve publike politike dhe me komente dhe opinione kontribuojnë në një lloj vendosjeje të sondazhit politik dhe formimit të opinionit publik”, tha Aliti. Ai vuri në dukje se mediat e lira kontribuojnë në zhvillimin e proceseve dhe vlerave demokratike dhe sigurojnë që shteti i së drejtës të ekzistojë dhe të respektohet. Pikërisht këto procese demokratike, tha ai, janë katalizatorë për zhvillimin njerëzor.
“Media ofron edukim, argëtim, shprehje kulturore dhe politike, dhe në të njëjtën kohë luan një rol të rëndësishëm në ekonomi, krijimin e vendeve të punës. Nga ana tjetër, zhvillimi dhe aplikimi i teknologjive të reja krijojnë një lloj të ri të realitetit mediatik dhe sjellin një lloj ndryshimi dhe sfida në sistemin mediatik. Teknologjitë e reja mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të lirisë së shprehjes, por për fat të keq jemi edhe dëshmitarë se kanë mundësuar përhapjen e lehtë të gjuhës së urrejtjes, dezinformatave, lajmeve të rreme dhe propagandës”, shtoi ministri. Sipas tij, përhapja e fenomeneve të tilla mund të jetë në funksion të përmbushjes së një agjende të caktuar politike, korruptimit të vlerave dhe proceseve demokratike në vend, diskreditimit të institucioneve. Nga ana tjetër, siç tha, kjo situatë reflektohet në mënyrën ekzistuese të funksionimit në median tradicionale, më saktësisht në atë të shtypur. Siç tha, këto dukuri vënë në pikëpyetje respektimin e standardeve profesionale dhe etike në gazetari, si dhe të drejtat e gazetarëve. Ministri vuri në dukje se shteti duhet të kuptojë qëndrueshmërinë e kësaj situate dhe të marrë masat dhe hapat e duhur në përputhje me standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare.
Kryetari i Asociacionit për Mbrojtjen e Mediave Nacionale të Shtypura, Lirim Dullovi e arsyetoi sjelljen e një Ligji të posaçëm për mbështetjen financiare të medias së shtypur, ndërsa shprehur shqetësimin për shkurtimin e mjeteve për këtë vit, konkretisht nga 50 milionë denarë në 10 milionë për gjithë gazetat dhe revistat e shtypura.
“Siç e mbani mend të gjithë atëherë, pas një debati të përgjithshëm dhe serioz që u zhvillua në disa qytete të vendit, nisma e nisur nga SHGM, e cila u pranua dhe u mbështet nga Misioni i OSBE-së në vendin tonë, arriti një konsensus të përgjithshëm për të ndihmuar shtypin. Modelin e dini tashmë, është praktikuar prej disa vitesh përmes një programi të Qeverisë, por tani mendoj se ka ardhur koha që kjo çështje të rregullohet me një ligj të posaçëm, siç u propozua atëherë nga të gjithë ne si media të shtypura, si SHGM, si dhe ekspertët e mediave vendase dhe të huaja”, tha Dullovi, ndërsa informoi se me ndihmë e deritashme financiare për mediat nga ana e Qeverisë, u shpëtuan shumë gazeta nga mbyllja. “Çfarë është arritur deri më tani me ndihmën e medias së shkruar? Mund të them lirisht se gazetat u shpëtuan nga zhdukja, e cila do të ishte një disfatë e madhe për gazetarinë profesionale, për demokracinë, lirinë e fjalës dhe pluralizmin në shoqërinë tonë. Do të vuanin edhe shumë punonjës të medias, të cilët do të kufizoheshin në aftësinë e tyre për të gjetur një punë tjetër në një medium ku do të ushtronin gazetarinë profesionale. Deri më tani, në këtë mënyrë, kriteret e marrjes së ndihmës financiare, të vendosura nga ne dhe të pranuara nga qeveria, ishin një garanci që mediat nuk do të ndryshonin politikën editoriale që kishin më parë. Dhe kjo ndodhi ashtu”, tha Dullovi, ndërsa sfidat me të cilët po përballen mediat e shtypura.
“Pandemia globale e Covid 19, përveç që mori një numër të madh jetësh njerëzish, ndryshoi edhe jetën e atyre që mbijetuan. Ekonomia botërore ka pësuar humbje të mëdha, rrjedhimisht edhe e jona, si dhe industria e shtypshkronjave në vend. Fatkeqësisht, nga 50 milionë denarë fillestarë në vitin e parë, gjatë pandemisë Covid 19 qeveria e reduktoi ndihmën e medias së shkruar në 30 milionë denarë. Për ata që nuk e dinë, deri në vitin 2005 – qeveritë e atëhershme në vendin tonë shpenzonin rreth 1 milion euro në vit për të ndihmuar median e shkruar. Tani kjo shifër është ulur në vetëm 150 mijë euro”, tha Dullovi.
Nëse vlerësojmë se në një shoqëri demokratike është e nevojshme të ekzistojë media e shkruar, u shpreh më tej kryetari i Asociacionit për Mbrojtjen e Mediave Nacionale të Shtypura, është koha ta vërtetojmë në praktikë. Kjo duhet të bëhet me miratimin e një Ligji të posaçëm, i cili ndër të tjera do të përcaktojë një buxhet të arsyeshëm, i cili realisht do ta shpëtojë median e shkruar. “Më besoni, nëse nuk e bëjmë këtë tani, atëherë shumë gazetarë profesionistë dhe punonjës të medias do të mbeten në rrugë. Por më së shumti do të vuajë e vërteta, e cila është themeli i një shoqërie demokratike që ne përpiqemi ta ndërtojmë”, tha Dullovi.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski në këtë debat publik theksoi se mediat e shtypur kanë luajtur dhe luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e standardeve në profesion. Ai u pajtua se jetojmë në një kohë dezinformimi, por siç informoi, numri i ankesave dhe padive ndaj gazetarëve apo mediave që janë në sferën e shkruar është më i ulëti. “Duhet të mendojmë se çfarë hapash duhet të hedhim më tej, për të parë se çfarë përfitimi do të ketë gazetaria cilësore dhe çfarë përfitimi do të marrin gazetarët në median e shkruar, në ç’mënyrë do të rritet jo vetëm prodhimi në punë, por do të rritet dhe cilësia në punë e mediave të shtypura tradicionale, por edhe numri i të punësuarve në këto media, në radhë të parë përmes promovimit të temave me interes publik për t’i shërbyer interesit publik, sepse detyra themelore e të gjithëve ne është t’i shërbejmë qytetarëve dhe interesit publik. Këtë do ta arrijmë vetëm duke rritur cilësinë e gazetarisë”, shtoi Çadikovski.