Përfshirja e përfaqësuesve të medias nëpër parti politike do të ishte normale sikur me kohë ta kishim rregulluar raportin mes fjalës së lirë dhe veprimit politik. Do të ishte normale sikur partitë politike të ndienin nevojë nga brenda për mungesë kuadrosh që dinë të kritikojnë apo të formojnë opinion publik
Nga Emin AZEMI
Shfaqja hapur e disbalancit në mes të interesit publik dhe llogarive të vogla të politikanëve, ka një kosto të riparueshme për shëndetin etik e profesional të audiencës. Gjithmonë në qendër të një debati ndodhet një kauzë dhe ajo mbrohet apo atakohet nga përfaqësues të ndryshëm, varësisht nga këndi i dioptrisë politike e konjukturale.
Në rajon gazetaria ishte në ballë të përgjegjësive dhje shumë procese u ndoqën me etikë të lartë profesionale. Mirëpo jo pak raste krijojnë përshtypjen sikur qëndrimet kontroverse të mediave sikur po bëhen diskurs profesional i tyre.
Në Kosovë, bie fjala, fillimisht kundër Gjykatës Speciale ishte vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe mediat, gati pa përjashtim, u rreshtuan në një sulm frontal kundër kësaj force politike. Tani kur rrethanat kanë ndryshuar, të njëjtat media janë rreshtuar në anën e atyre politikanëve të cilëve aktualisht po iu pengon Gjykata Speciale. Është ky një moral i ulët profesional i një gazetarie që me vetëdëshirë po bëhet repart i zgjatur propagandistik i politikës, duke e shndërruar hapësirën publike tela me gjemba para hundëve të diplomatëve Perëndimorë.
Humbja e integritetit etik e profesional të mediave dhe gazetarëve po ndodhë në një kohë kur Kosovës i nevojitet më tepër se kurdoherë një masë kritike që do të ishte jo vetëm korrigjuese e politikës por edhe një valvule ndihmëse që do të vinte në qarkullim ide e pikëpamje alternative. Futja pa kriter e gazetarëve e opinionistëve të ndryshëm në strukturat shtetërore, në vend se të rregullonte imazhin e politikanëve në sytë e publikut, ka ndodhur e kundërta. Gazetarët e rikomponuar në aparatçik shtetërorë, janë bërë ‘’zagarë’’ kujdestarë të politikanëve që ua sjellin para këmbëve trofeun e ngordhur të publikbërjes. Punën e zakonshme të zyrtarëve që kishin përpiluar komunikata të thjeshta, tani po e bëjnë alamet emra të gazetarisë, të cilët mediat po i lexojnë me syza të tjera.
Politika ka nevojë për kompetentë nga brenda për ta menaxhuar, dhe për media nga jashtë për ta kritikuar. Nëse kompetentët mbesin jashtë politikës, ashtu siç po ndodhë aktualisht, kurse gazetarët futen në politikë, atëherë diçka nuk është në rregull. Është diçka që nuk funksionon. Përfshirja e përfaqësuesve të medias nëpër parti politike do të ishte normale sikur me kohë ta kishim rregulluar raportin mes fjalës së lirë dhe veprimit politik. Do të ishte normale sikur partitë politike të ndienin nevojë nga brenda për mungesë kuadrosh që dinë të kritikojnë apo të formojnë opinion publik. Nëse kritikën e huazon nga media dhe e kompenson si mall i munguar në parti politike, atëherë shtrohet një pyetje fundamentale: Si t’iu besojmë kritikuesve të ardhshëm që vijnë nga fusha e media? Kur politika shpreh mendime publike përmes gazetarëve ‘’të pavarur’’, siç ndodhi muaj më parë në Kosovë, me rastin e fushatës kundër Gjykatës Speciale, s’do mend se viktimë e parë e këtij konfuziteti publik bien vetë ndjekësit e kësaj politike, por edhe një audiencë më e gjerë e cila e ka të vështirë ta dallojë kufirin se ku mbaron politika e keqe dhe ku fillon gazetaria e pamoralshme. Amoraliteti i kësaj aleance si produkt final ka armiqësimin e Kosovës me Perëndimin dhe për pasojë – degradimin e gjithë asaj që është arritur me mund e gjak. (koha.mk)