Gazetaria dhe politika

115

Politika, duke përfshirë të gjithë politikanët ka gabimet e veta, pavarësisht se Qeveria nuk ka vetëm gabime, por ka faje të rënda. Gazetaria ka gjeneralët e saj të cilët kanë duruar presione, përndjekje e deri burgime dhe nuk kanë pranuar të ndryshojnë misionin e tyre, ndaj lërini këta fisnikë të bëjnë punën e tyre sidomos tash që ka nevojë më shumë se kurrë. Kurse ju që bëni tregti në emër të lajmit, hapni ndonjë fastfood më mirë, do fitoni më shumë para, por mbi të gjitha do fitoni atë që nuk e keni: Respektin!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Ky titull sfidues nuk ka për qëllim ndonjë analizë të mirëfilltë mbi raportin e këtyre dy fenomeneve shumë të rëndësishme, e as studimin veç e veç të tyre. Ajo që kërkon ky shkrim është një pasqyrë e zakonshme e gjendjes aktuale të medias dhe marrëdhënies së saj me politikën në Maqedoni. Ne rrethohemi nga vende që na pëlqen të themi se janë pak a shumë si ne, pavarsisht se këto krahasime absurde dhe të pavërteta, janë iluzione që veçse shtojnë errësirën në verbërinë tonë, megjithatë pavarsisht këtij pseudo-komplimenti aspak të shëndetshëm me të cilin mashtrojmë veten, ka një gjë e cila dallon aq qartë në Maqedoni, që është ndryshe nga vendet e tjera sa nuk mund të mohohet kurrsesi dhe kjo është pikërisht Media. Media dhe historia e saj me qeveritë e Maqedonisë është një tregim i trishtuar për shkak të presionit totalitar që regjimet kanë ushtruar mbi gazetarët duke përdorur të gjitha format e padrejta për të ndaluar misionet e tyre.

Do të ishte përveçse me interes publik por mbi të gjitha me rëndësi edukuese dhe një lloj homazhi, studimi dhe më pas botimi nga ana e ekspertëve mbi kalvarin e medias në Maqedoni, i cili mund të jetë nga më të dhimbsurit në Ballkan. Ne kemi pasur dhe kemi gazetarë të shkëlqyer, të cilët janë detyruar dhe vazhdojnë dhe sot të punojnë nën kërcënimin e përditshëm të grupeve të interesit, sidomos ato qeveritare, e mbi të gjitha puna dhe përpjekjet e penave të mprehta nuk ka marrë kurrë mirënjohjen e duhur nga shteti. Një gjë që vihet rè është se gazetarët që janë profesionistë e të dedikuar ndaj profesionit të tyre as nuk e kanë kërkuar kurrë këtë lloj mirënjohje pavarësisht se presidenti Linkoln do të thoshte se nuk ka askush në botë që nuk do ta donte një kompliment. Megjithatë këta zotërinj të lajmit me këtë sjellje aspak egoiste veçse kanë rritur respektin ndaj tyre dhe paralelisht edhe peshën e fajit dhe injorancës për të gjithë ato institucione që është dashur t’i shprehin mirënjohje dhe nuk e kanë bërë. Për të gjithë ata qeveritarë egoistë e të pazgjuar që kanë heshtur me xhelozi para gazetarëve të shkëlqyer të këtij vendi. Mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar.

Tani me revolucionalizimin e botës virtuale, secili mund të zgjohet në mëngjes dhe të hapë një gazetë e pagëzuar me termin e ri Portal, dhe ëndrrat e shumë njerëzve për të punuar në TV, tanimë janë të barabarta me një drekë në restorant se aq kushton që të hapësh një kanal në YouTube. Sot të gjithë jetojnë në një stacion të madh televiziv, ndryshimi është i jashtëzakonshëm. Deri aty ka arritur mundësia sa nëse dikur vetëm dasmat mbretërore dilnin në ekran, sot dalin të gjitha dasmat e hallave, tezeve madje një njeri mund të dalë edhe 2-3 herë me një seri dasmash, mjafton dëshira!

Gjendja është groteske, një kineast i mirë do të mund të bënte film me skenar të sigurt me çfarë po ofron realiteti, por pyetja kryesore është: a ka ndikuar ky zgjerim në raportin gazetari-politikë. Lekê Dukagjini do të thoshte me të drejtë në kanunin e tij proverbial se “lajmësi nuk ka faj për lajmin që jep”, ky citat i keqkuptuar kryekëput nga regjimet qeveritare, ka kohë që ka shndërruar median e lirë, në një zë të shtypur, të kërcënuar, por tashmë, me shtimin e portaleve ka edhe një fenomen të ri, dalja në pah e gazetarisë klienteliste. Është i stërnjohur dhe i vjetër monopolizimi i stacioneve televizive apo radiofonike të paguara nga shteti, dihet edhe animi i hapur ideollogjik i të gjithë atyre mediave të deklaruara publikisht për bindjet e tyre, por ajo që është e re, është një tip tjetër gazetarie, është ajo që nuk deklarohet me asnjë parti, që thotë se është me popullin dhe vetëm me hallet e tij, që pretendon se është unike në llojin e saj, që mohon çdo vlerë tjetër gazetareske, që bërtet se nuk ka pasur dhe nuk ka gazetarë ky vend, që synon sjellje populiste, por që bën pazar fare hapur me ato subjekte, insitucione, organizata, qeveri apo opozitë që kanë aktivitet me interes publik.

Dhe këto lloj redaksish që kryesisht përbëhen nga një person, punojnë jo vetëm pa emocione, por gjakftohtësinë e tyre do ta kishte zili dhe një kirurg me bisturinë në aksion. Kjo lloj gazetarie nuk zgjedh të tregojë të vërtetën dhe vetëm atë, për të informuar popullin drejtë e saktë, ashtu si është edhe misioni i gazetarisë, jo, kjo lloj gazetarie zgjedh ata që e paguajnë më mirë.

Me moton “Ky Popull S’bëhet” ata nisin e fantazojnë, ose si quhet ndryshe sot, prodhojnë “Fake News”, ngrejnë tym e zallamahi, duke e ditur që po gënjejnë, por ata jo vetëm që nuk pendohen, por madje pretendojnë edhe një lloj mirëkuptimi nga ana e viktimës që e kanë përdorur, me justifikimin “çudia më e madhe tre ditë zgjat”…dhe po, në këtë katandisje që jetojmë çudisë madje janë shkurtuar ditët, s’ia del dot as 2 ditë të kujtohet se vjen direkt çudia tjetër më e madhe që ia merr vendin, por a nuk duhet të kthjellohemi për një moment, të gjithë?! Kur them të gjithë përfshij pozitë dhe opozitë, gazetarë dhe zanatçinj, dhe të pyesim veten se ku po e çojmë këtë shoqëri? A është normale që fëmijët tanë të edukohen nga ky lëmsh vlerash të shkelura me këmbë?! A do të kemi fëmijë normal nëse ju mësojmë të pyesin për çmimin e gjërave dhe jo për vlerën e tyre?!

Për një rast le t’i lëmë gjyqet, le t’i lëmë fajtorët megjithëse ka dhe duhet të mbajnë përgjegjësi, por le të provojmë dhe të mendojmë të gjithë si një organ i vetëm, si shoqëri. Sadoqë tek ne ka Imperium in Imperio, prapë ne jemi pjesë e të njëjtës makinë, që ose do të çoj fëmijët përpara ose t’i ndaloj me shekuj në trafik duke u helmuar me asfalt dhe nxehtësi.

Politika, duke përfshirë të gjithë politikanët ka gabimet e veta, pavarësisht se Qeveria nuk ka vetëm gabime, por ka faje të rënda. Gazetaria ka gjeneralët e saj të cilët kanë duruar presione, përndjekje e deri burgime dhe nuk kanë pranuar të ndryshojnë misionin e tyre, ndaj lërini këta fisnikë të bëjnë punën e tyre sidomos tash që ka nevojë më shumë se kurrë. Kurse ju që bëni tregti në emër të lajmit, hapni ndonjë fastfood më mirë, do fitoni më shumë para, por mbi të gjitha do fitoni atë që nuk e keni: Respektin!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)