Gazetaria atë që bën është mbikëqyrje të pushteteve në emër të njerëzve. E di, një pjesë nga ju do thoni, kjo që them është futja kot. Sepse asgjë e tillë nuk funksion tek ne. Por jo. Për deri sa ka ende përballje, debate, përplasje, pyetje, lajme, kritika… por të bazuara në qëndrime dhe fakte njerëzish, jo shpifje dhe gënjeshtra, atëherë media kryen misionin e saj…
Nga Nazim RASHIDI
Gjatë javës që shkoi isha në Kërçovë, në një trajnim-prezantim ku flitej për lajmet e rreme apo dhe për një edukim mediatik. Publiku, para të cilit flisja ishin gjimnazistë. U shokova. Asnjë nuk donte të bëhet gazetar. Kjo s’më ka ndodhur ndonjëherë. Madje mendon se duke qenë se jetojmë në botën e digjitalizimit, mediave online, videove… presionit e dëshirës për të qenë i famshëm, prezent, kujtoja se do kishte edhe të tillë që do donin të punojnë në media.
Por jo.
Nuk kishte as nga ata që donin ta ndryshonin botën, apo të punonin për të mirën e shoqërisë, apo të bënin presionin e brezit me entuziazmin e moshës që i karakterizon, që gjërat të bëhen më mirë.
Jo, s’kishte as të tillë.
Por kishte kuriozitet, se çdo të thotë të jesh gazetar dhe cila është rëndësia e këtij profesioni.
S’është keq do thonit. Dhe vërtet është diçka shumë e mirë, sepse nga këto pyetje fillohet të kuptohet më shumë se pse kemi gazetari, pse ka lindur si profesion dhe cila është rëndësia e profesionit që edhe unë ushtroj.
Do t’i kthehem këtij momenti. Jo për të mbajtur leksion, por sepse qartë ka nevojë të theksohen disa gjëra, që po humbin ose zhvlerëson për shkak të kontekstit në të cilin jetojmë.
Por momenti më i “frikshëm” për mua dhe kolegët, besoj, ata që realisht besojnë në lirinë e medies, shprehjes dhe gazetarisë, ishte se pse këta të rinj nuk donin të bëhen gazetarë.
Po pse?
Gjithçka kanë dëgjuar, lexuar e parë është se janë “të shitur”, “spiunë”, “të politizuar”, apo dhe epitete edhe më ofenduese të cilat i dini dhe vetë.
Dhe sigurisht, cili i ri do të donte që të marrë një profesion e në vend se të mbeste me sukses dhe karrierë, të fitojë veç ofendime.
E gjitha më bëri të mendoj se pse kemi ardhur në këtë situatë dhe çfarë s’është bërë duke përfshirë edhe nga vetë unë, që degradimi i profesionit mos të ndodhë.
E para është se duke qenë në syrin e opinionit çdo produkt i joni është nën mullirin blues të opinionit. Dhe normale. Ashtu duhet të jetë. Dhe po, jo të gjithë nga ne, njerëzit e medies, janë më të zotët e më të aftit që janë në këtë profesion. As në mesin e gazetarëve nuk i iket “modës” ku të pazotë janë në redaksi. Pra, jemi “të vdekshëm” si të tjerët, por me një dallim të madh, nën trysninë konstante të opinionit.
Dhe këtu hynë rrjetet sociale. Jetojmë në kohë ku lehtësisht secili ka mundësi dhe të drejtë për tu shprehur. Dhe ohhhh, apo nuk shprehen njerëzit tanë.
E gjitha është aq transparente dhe e hapur, sa epitetet e lartpërmendura janë një asgjë pranë agresivitetit që shfaqet.
Por pyetja është se pse ky reagim i tillë? Ndaj atyre që ka reagime të tilla janë politikanët, artistët, sportistët e të tjerë njerëz që bien në syrin e njerëzve.
Duke i lënë të tjerët anash dhe duke u fokusuar tek media dhe politika, e kjo e fundit duke qenë gati gati e urryer, por e gjitha duke u zhvilluar në media, bën që të gjitha negativitetet për politikën e politikanët të reflektohen edhe tek gazetarët.
Dikush do thotë tani se do jem subjektiv dhe se kur do mbroj profesionin, në fakt s’ka se si të ndodhë ndryshe.
Por jo. Nuk është ky rasti realisht.
Esenca e demokracisë është liria e shprehjes e cila artikulohet nëpërmjet medies.
Gazetarët si punonjës mediatik janë ata që tentojnë të mbajnë balanset mes pushteteve dhe jo rastësisht vihen në shënjestër, madje paguajnë dhe me jetë, kur prekin interesa të rënda.
Gazetarët janë në anën e njerëzve. Përherë. Edhe atëherë kur duket se mbajnë anë. Sepse edhe në një rast të tillë, mbajnë anën e dikujt atje në publik që nuk do kishte mundësi të bënte ato pyetje apo të shprehë atë opinion. Kjo që po them nuk nënkupton joprofesionalizëm, por e përmend si argument që jepet për gazetarët.
Por këtu është kontradikta. Si ka mundësi aq shumë epitete negative dhe askush mos dojë të bëhet gazetar, kur misioni i profesionit është i fisëm.
Devalvimi i parë vjen nga vetë politika. Teknologjia mundëson hapjen e një varg portaleve e mediave të tjera, të cilat nuk kanë qëllim informimin por propagandën. Kjo i bën njerëzit konfuz dhe me të drejtë humbet qartësia se ç’është informim e ç’është fushatë.
Pamë në vitet e fundit se si politika, shkatërroi media e krijoi të tjera si makineri, ku jo të gjithë që ishin të denjë mbajtën emrin gazetar. Dhe tashmë një i ri humbet në nocionin dhe rëndësinë e këtij profesioni.
Pati dhe nga ata media, kryesisht online, që u krijuan për denigrim, ofendim, shantazhim të kundërshtarëve por dhe të atyre që nuk mendojnë një lloj, por me tekste e shkrime pa autorë, me portale e media që sot as nuk ekzistojnë më, por tashmë me efektin e tmerrshëm se gazetarët me të tilla gjëra merren.
Prandaj, njerëzit që janë qartë të opinionuar, kur dëgjojnë pyetje të forta e direkte, i përjetojnë si sulme e jo mundësi për të sqaruar qëndrime.
Prandaj lehtësisht mllefi derdhet ndaj medies dhe jo shkaktarëve të situatës.
Por ky është një alarm. Sepse shoqëria, duke nisur nga shtëpitë tona e shkollat, nuk po ua sqarojmë fëmijëve rëndësinë e medies dhe gazetarisë.
Në kohën e lajmeve të rreme, ku në teori çdo budallallëk i botuar mund të marrë udhën e të përhapet ndër miliona njerëz, do të përjetohet si lajm i një gazetari. Madje edhe sqarimi se nuk kemi të bëjmë me të vërtetën do të përjetohet si gafë e një gazetari. Por shumica nuk do ta dinë e nuk e dinë se e gjitha s’ka lidhje me gazetarinë.
Alarmi madje mund të jetë edhe i vonë, për nevojën e edukimit të njerëzve dhe sidomos të rinjve se çfarë është media, cila është rëndësia e saj, pse duhen gazetarët në shoqëri.
Dhe ja po i kthehem kësaj pjese për rëndësinë e profesionit.
Dhe s’ka shumë filozofi:
Siç i ndau Monteskje (Montesquieu) filozofi francez pushtetet, të cilat janë të reflektuara në thuajse të gjitha kushtetutat, pra legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ai i katërti media dhe gazetari shfaqet më vonë, si vëzhgues dhe korrektor i këtyre pushteteve.
Gazetaria atë që bën është mbikëqyrje të pushteteve në emër të njerëzve.
Përhap informacione me qëllim të informojë njerëzit e të nxisë debate e diskutime, që qytetarët të jenë më shumë të informuar kur do marrin vendime.
Gjithashtu edhe për të krijuar atë sensin e drejtësisë, aq të nevojshëm edhe në realitet por edhe si gjendje që të jep siguri se jeton pa frikë.
E di, një pjesë nga ju do thoni, kjo që them është futja kot. Sepse asgjë e tillë nuk funksion tek ne.
Por jo.
Për deri sa ka ende përballje, debate, përplasje, pyetje, lajme, kritika… por të bazuara në qëndrime dhe fakte njerëzish, jo shpifje dhe gënjeshtra, atëherë media kryen misionin e saj.
Në fund, më mirë gazetari e keqe, se sa propagandë e diktaturë. Sepse siç ka thënë Thomas Jeferson, autori i deklaratës së pavarësisë së SHBA-ve dhe presidenti i tretë i saj, “Liria jonë varet nga liria e medies, e cila nuk mund të zvogëlohet pa e humbur”.
Uroj që këto mesazhe ata të rinj t’i marrin në shkolla e përditshmëri, sepse gazetaria nuk është për gazetarët, as për politikën e politikanët por për njerëzit, me të gjitha mendimet e ndryshme që kanë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)