Oma Akatugba është kthyer në njeriun e ditës pasi arriti të parashikonte shkarkimin e Karlo Ançelotit nga Bajern Munih para ndeshjes me PSZH-në. Gazetari nigerian, i cili jeton në Gjermani, nuk ngurroi t’i bënte pyetje rreth shkarkimit të mundshëm trajnerit italian, edhe pse u shoqërua nga të qeshurat si të Ançelotit, ashtu edhe gazetarëve të tjerë të pranishëm në sallë.
“A jeni i shqetësuar se mund të humbi vendin e punës nëse mundeni nesër nga PSZH”, pyeti ai, ndërsa Ançeloti u mundua ta kalonte gjithçka me humor. “Pyetje e fortë, nga je ti?”, ishin fjalët e trajnerit. “Jam nga Nigeria dhe futbolli evropian është shumë popullor në Nigeri, prandaj jam këtu”, vijoi gazetari. “Jam i lumtur që nigerianët kujdesen për jetën time”, u mundua të ironizonte Ançeloti.
“Por nuk mendoj se do të ndodhë. Nesër është një ndeshje e rëndësishme, është e vërtetë që nuk e nisëm në maksimum sezonin, por është vetëm fillimi. Ndaj do të jetë një ndeshje e rëndësishme nesër, jo vendimtare”, tha ai.
Por pavarësisht mënyrës se si Ançeloti e përshkroi situatën në konferencën për shtyp para ndeshjes, fjalët e gazetarit rezultuan që të ishin një parashikim i mirëfilltë për atë që do të ndodhte pas sfidës me PSG-në. Videoja e konferencës është shpërndare më shpejtësi në internet dhe në 24 orët e fundit, gazetari nigerian ka qenë njeriu i ditës për pyetjen e guximshëm që bëri dhe që në fund rezultoi ajo e duhura.