Plotë tre dekada deputetët shqiptarë, me dallim të një numri të vogël deputetësh të cilët kanë treguar aktivitet të shquar dhe janë për tu lavdëruar, pjesa dërmuese e tyre, e kalojnë mandatin në qetësi të plotë dhe në anonimitet, sa që mezi mbahen mend nga publiku i gjerë, përveç familjarëve dhe mëhallës së tyre
Nga Shaqir ISLAMI
Bravo, gazetarit Furkan (Klan Maqedonia)! Në kornizën e lajmeve të Klan Maqedonia’s, vërejta një reportazh në formë interviste të shkurtër, në rrugë, me tre deputetë të zgjedhur nga gazetari. Ai kishte të dhëna nga një raporti Kuvendit për të gjithë deputetët se – kush,çfarë dhe sa kishte punuar, sa aktivë kishte qenë gjatë seancave në Kuvend, çfarë kontributi ka pas dhënë për elektoratin e vet -gjatë këtij mandati të qeverisjes. Dhe për në fund, u parashtronte pyetjen – nëse ata/o ishin të kënaqur me punën e tyre si deputet ? Pavarësisht punës dhe kontributit të tyre – pyetjes së fundit, që të tre deputetët veç e veç,pohuan se ishin shumë të kënaqur me përfaqësimin, pra me veprimtarinë politike të tyre, dhe se i kishin përmbushur pritjet e elektoratit dhe të partive të tyre. Po, edhe ujku i ngopur, edhe numri i dhenve i pandryshuar.
Plotë tre dekada deputetët shqiptarë, me dallim të një numri të vogël deputetësh të cilët kanë treguar aktivitet të shquar dhe janë për tu lavdëruar, pjesa dërmuese e tyre, e kalojnë mandatin në qetësi të plotë dhe në anonimitet, sa që mezi mbahen mend nga publiku i gjerë, përveç familjarëve dhe mëhallës së tyre. Partitë i zgjedhin deputetët, për të qenë sa më besnik dhe jo të jenë të diturdhe të shkathët. Kjo është një hile e liderëve dhe jo i deputetëve, sepse ata zgjidhen të tillë që tu shërbejnë liderëve dhe jo qytetarëve. Ky raport gazetaresk më la mbresë, sepse, dallohet nga gazetaria e përditshme e gjertanishme. Gazetaria në trevat tona, është koha që të del nga klishetë e vendosura të gazetarisë, nga përfaqësuesit e gazetarisë komuniste të cilët popullorçe quheshin edhe si, punëtorë-shoqërorë-politik.
Kjo është një nismë e mbarë dhe e guximshme, e gazetarisë së publikut. Gazetaria duhet të nis t’i nxjerrë dhëmbët, bile për të treguar se i ka. Jose, kjo i duhet gazetarisë, i duhet vet demokracisë, për të cilën bëjnë be qytetarët. Gazetaria duhet të respektohet si çdo zanat tjetër; ndonëse, në shoqëritë i mirëqena demokratike merret si avangarda e shoqërisë dhe shtytësi kryesorë i proceseve zhvillimore të demokracisë. Shembull i qartë dhe domethënës është vet Amerika. Kushtetuta e saj, nis me amendamentin e parë: ku theksohet liria e të menduarit dhe të shprehurit. Dhe sot është demokracia më e arritur në këtë planetë. Populli amerikan, sot e kësaj dite, lavdërohet, mburret dhe krenohet me punën e gazetarisë në vendin e tyre. Në demokraci, nuk mjafton që gazetaria t’i kushtojë vëmendjen vetëm grupeve të fuqishme të interesit: pushteteve, partive politike, korporatave ekonomike, OJQ-ve, e tj.– meqë të gjitha këto merren si burime informacioni dhe e bëjnë lajmin -ndonëse, qytetari i rëndomë duhet të jetë sa më shumë i pranishëm në lajmet e gazetarisë, e jo për atë të kujtohemi vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve, e pastaj sërish të zhduket në harresë të plotë nga të gjithë.
Teoria e gazetarisë së publikut, është zhvilluar në dekadat e para të shekullit të njëzetë, nga John Deëei dhe Ëalter Lippmann. Sipas tyre, në shoqërinë demokratike, gazetaria duhet ta ketë rolin e “qenit të rojës” (Ëatchdog Journalism) së qytetarëve nga grupet e fuqishme të interesit, si nga politika, korporatat e mëdha, nga kriminelët e ndryshëm dhe nga grupe tjera të interesit. Sipas kësaj teorie, gazetaria duhet të prodhojë lajme nga jeta e përditshme e qytetarëve, duke krijuar hapësirë për interesin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në të dalit zot për të mirën publike dhe të interesit publik. Gazetaria është motori i cili ka për detyrë që ta nxjerr qytetarin nga letargjia dhe apatia, duke e nxitur, shtytur dhe duke aktivizuar atë që të merr pjesë në kuvendimin e çështjeve që kanë të bëjnë me interesin publik dhe me ruajtjen e të mirës së përbashkët publike. Gazetari Furkan mund të merret edhe si gazetarë hulumtues (investigativ), pasi kishte gërmuar dhe gjetur informacionin e duhur dhe të dhëna statistikore të sakta, për aktivitetin politik të përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvend. Gazetari i pajisur me informacion të saktë, duhet ta bëjë publike të vërtetën, përndryshe, nëse e hesht informacionin që meriton të bëhet publik, ai, shkel parimin thelbësorë të gazetarisë.
Por, nuk duhet ndalur vetëm me tre deputetët e intervistuar, dhe së fundi nuk është e drejt; ky lloj investigimi duhet bërë për të gjithë deputetët, dhe të vazhdojë edhe tek zyrtarë tjerë, pa marrë parasysh se çfarë funksioni ushtron individi. Puna e çdo funksionari publik, duhet të shqyrtohet dhe analizohet; dhe sigurisht se veprimet në vijë me interesin publik duhet të lavdërohen publikisht, ndërsa ata që shkelin ligjin dhe dëmtojnë interesin dhe të mirën publike duhet të qortohen publikisht. Gazetaria ua ka borxh lexuesve, shikuesve ose dëgjuesve të vet, varet nga cila media informohet qytetari, të përçojë informacion të saktë dhe objektiv. Përndryshe, si do bëhej dallimi i së mirës nga e keqja, e dobisë nga dëmi… këto informacione i mundësojnë qytetarit që ditën e votimit ta ketë qartë se, kë ta zgjedh për përfaqësues të vet në Kuvend, dhe jo të heshtet. Në dallim nga sistemet autoritare dhe despotike, në demokraci duhet të kuvendohet sa më shumë. Sa më shumë që kuvendohet, aq më e shëndoshë është demokracia, dhe e kundërta.
Çdo kush që merret me punë publike, që merr të ardhura nga buxheti i shtetit, dhe që shfaqet në media shpesh nëpër emisionet ku kuvendohet për çështje që ka të bëjë me të mirën dhe interesin publik, shndërrohet në person publik. Prandaj, personi publik bëhet objekt i shqyrtimit të gazetarisë, qoftë ky politikan, deputetë, ministër, ambasador, e çfarëdo qoftë zyrtari shtetëror apo lokal. Dhe natyrisht, se njerëzit publik i nënshtrohen kritikës dhe qortimit. Ky është sporti i politikës dhe i gazetarisë, prandaj i ka dhe rregullat e veta që duhet nderuar dhe pranuar në frymën sportive. Ashtu siç ka lëvdata për punë të mira, ka edhe kritika për punë të këqij. Në shoqërinë demokratike duhet lirshëm të flitet si për punët e mira, ashtu dhe për punët e këqij. Dhe çdo informacion duhet bërë publik; natyrisht, përveç informacioneve të klasifikuara dhe të informacioneve që mund ta dëmtojnë shoqërinë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)