Gazeta serbe kërcënon me padi ambasadorin amerikan

Një gazetë serbe i bëri thirrje ambasadorit amerikan në Beograd të kërkojë falje dhe tha se do ta padisë atë nëse nuk i tërheq fjalët. Ambasadori Kyle Scott e ka quajtur “plehër” gazetën Informer dhe e ka akuzuar atë për publikim të gënjeshtrave. “Ambasadori, pa asnjë arsye dhe provokim, ka fyer gazetën në mënyrën më vulgare”, thuhet në një deklaratë të Informer-it. Në të njëjtën thuhet se gazeta do ta padisë ambasadorin edhe në Serbi, edhe në SHBA nëse nuk kërkon falje. Scott i ka bërë komentet e tij më 18 maj, pasi është pyetur nga një gazetar i Informer-i të komentojë një raport të kësaj gazete, i cili thotë se Bashkimi Evropian planifikon të pengojë negociatat për anëtarësimin e Serbisë “sepse disa zyrtarë nuk e pëlqejnë mënyrën se si Aleksandar Vuçiq udhëheq Serbinë”. Në videon e postuar nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug, ambasadori Scott duket duke thënë në gjuhën serbe: “A jeni ju nga Informer? Më falni që them, por kjo nuk do të ishte gënjeshtra e vetme që kam lexuar në Informer dhe me siguri nuk do të jetë e fundit”. “Ekziston i ashtuquajturi informacion i bazuar në burime që nuk kam ide se kush janë. Informer është plehër e zakonshme, siç do të thoshte kryeministri juaj. Mediat duhet të bazohen në fakte dhe unë nuk shoh fakte në Informer “, ka thënë Scott. Zyrtarët nga Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk ishin në dispozicion menjëherë për komente.