KOHA është e Juaja, e gjithë atyre që për çdo ditë vendosin të informohen nga ne, nga gazeta që për 14 vite nuk mungoi as edhe një ditë të vetme
Nga Vedat MEMEDALIU
Gazeta KOHA mbush 14 vjet. Ky përvjetor i 14-të i KOHËS është jo vetëm një festë e jona, por një festë e fjalës së lirë, e informimit objektiv, një festë që në thelb ka të gjitha liritë e garantuara me ligje dhe Kushtetutë.
Është një festë, sepse arritëm atë që të tjerët nuk po e bëjnë dot. Renditemi e para në matjet e institucioneve ndërkombëtare për lexueshmëri, objektivitet dhe për krijim të saktë të opinionit. Jo vetëm tek mediat shqipe, por tejkaluam edhe mediat maqedonase. Ky paraqet edhe një satisfaksion të madh moral e profesional për ekipin e gazetarëve, redaktorëve e bashkëpunëtorëve që të mbindërtojnë përvojat e tyre në këtë rrugëtim kaq dinamik, por edhe sfidues.
Analistë, politikanë, aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë… për 14 vjet kanë qenë kontribuues dhe pjesë e faqeve të KOHËS. Edhe shumë gazetarë që sot drejtojnë institucione, media dhe organizata tjera – ishin po ashtu pjesë e jona.
KOHA për gjithë këto vite arriti të ketë fuqinë e joshjes së masave të gjera të lexuesve, me të cilën po rritet një brez i tërë. Arriti të gjejë vendin e merituar edhe në hapësirën e internet-portaleve, në një vijë të drejtë me gazetën e shtypur. Pozicioni këmbëngulës dhe i pakompromis i gazetës KOHA ka qenë dhe mbetet zgjidhja e vetme në kushtet kur shtypi po përballet me probleme të llojllojshme editoriale, si dhe autonomisë ekonomike dhe problemeve të karakterit logjistik.
Madje, bashkë më ngritjen e standardeve profesionale edhe më fort do t’i mbrojmë këto sfida si gazetë që tashmë 14 vjet është e pranishme në tregun e shtypit, një institucion që preokupim parësor ka problemin shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por gjithandej ku frymohet shqip. Ishim dhe mbetemi vëzhgues aktiv dhe kujdestarë të proceseve demokratike, me rol të rëndësishëm në zhvillimin e institucioneve të brishta të vendit dhe proceseve të tjera me interes kombëtar dhe shtetëror.
KOHA është e Juaja, e gjithë atyre që për çdo ditë vendosin të informohen nga ne, nga gazeta që për 14 vite nuk mungoi as edhe një ditë të vetme. Dhe ne sigurojmë në vazhdimin e rrugës që kur numri i parë i gazetës – 22 nëntor 2006, preku duart Tuaja – do të jemi korrektor dhe kritikë i të gjitha veprimtarive e devijimeve institucionale vendore dhe ndërkombëtare, kur ato nuk janë në linjë me interesat shqiptare dhe shoqërore përgjithësisht.