Çmimin “Vangjush Gambeta”, që secilin fundvit ndahet nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, e ka fituar kryeredaktori Vedat Memedaliu, për raportime dhe hulumtime më të mira ekonomike në shtypin e shkruar në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë
Shkup, 6 dhjetor – Laura Kondi, gazetare dhe drejtuese e Zërit të Amerikës dhe Adelajde Feilcke, drejtore e redaksisë së Dojçe Veles, janë fitueset e Çmimit të Karrierës, ndërkohë që Vedat Memedaliu, kryeredaktor i gazetës KOHA ka fituar çmimin “Vangjush Gambeta” që u ndanë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me seli në Tiranë. Ceremonia u organizua sot në Hotel “Swiss Diamond Prishtina”, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë politik dhe nga shoqëria civile nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si zyrtarë të kompanisë Japan Tobacco “International”.
“Është nder që në përvjetorin e 13-të, gazeta KOHA merr edhe një vlerësim kaq të madh nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Vlerësimi i gazetarëve shqiptarë për gazetën tonë na jep kurajë të vazhdojmë të raportojmë tamam siç i ka hije një mediumi sidomos në këtë kohë krize të gazetarisë gjithandej, e posaçërisht në tre shtetet tona. Faleminderit”, tha kryeredaktori i gazetës KOHA, Vedat Memedaliu, gjatë marrjes së çmimit. Gazetarët Saranda Ramaj e gazetës KOHA Ditore, Donald Jorgoni i Top Channel dhe Ledina Loga nga portali Monitor janë fituesit e çmimit “Vangjush Gambeta” në Shqipëri dhe Kosovë.
Çmimi “Reporteri i Vitit 2019” shkoi për gazetarin Taulant Koplikun, për punën dhe këmbënguljen profesionale në raportimet e saj. Konkretisht, bëhet fjalë për raportimin e Koplikut nga kampet e Sirisë më fëmijët e bllokuar atje. Kopliku është gazetari që së bashku me kolegët e “Le Iene”, treguan historinë e Alvin Berishws, vogëlushit që më në fund u kthye në familjen e tij. Për raportimin më të mirë të vitit 2019 në lëmin e ekonomisë është nderuar gazetarja e Top Channel Vali Qyrfyçi, korrespondente e Top Channel nga qyteti i Durrësit. Vali Qyrfyçi nuk ka mundur ta tërheqë vetë këtë çmim për shkak se është duke ndjekur që nga mëngjesi i 26 Nëntorit e deri më sot situatën me tërmetet në Shqipëri. Shtëpia e saj është dëmtuar dhe prej 10 ditësh jeton së bashku me familjen në një hotel, ndërsa punën nuk e ka lënë në asnjë ditë.
Me rastin e ndarjes së çmimeve vjetore, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksander Çipa, tha se përmes kësaj ngjarje bashkojnë përfaqësuesit e institucioneve dhe gazetarëve të ekonomisë, të cilët ballafaqojnë pikëpamjet e tyre dhe sfidat që përjetojnë pavarësisht njësisë administrative ku jetojnë.
“Do të doja të ndaja me ju arsyetim që prej 11 vjetësh ne kemi mundur si organizatë të ngremë një hierarki të vlerësimit brenda komunitetit profesional të gazetarëve dhe nuk kemi respektuar vetëm adresimin tek njësia republikë që i përkasim Shqipërisë. Por kemi mundur të shohim tregun dhe skenën mediatike shqiptare në tri shtetet ku jetojnë shqiptarët, si një mundësi të integrimit tonë të brendshëm, si një mundësi për të parë referenca profesionale të ndryshme dhe për të përcaktuar stacionet e ballafaqimit konkurrues me njëri tjetrin pavarësisht nga ndasitë dhe pavarësisht nga ajo që do ta quaja kohë humbja e politikës”, tha ai.
Ndarjes së çmimeve i parapriu konferenca tematike “Ilegaliteti dhe legaliteti” ku pjesëmarrësit kanë theksuar se ekonomia gri është armiku kryesor i zhvillimit ekonomik dhe kanë nënvizuar nevojën e realizimit të ligjeve dhe strategjive qeveritare në luftim të ekonomisë ilegale.
Për herë të parë, ceremonia e ndarjes së çmimeve ekonomike “Vangjush Gambeta” filloi në vitin 2009 dhe mbështetet financiarisht nga kompania “Japan Tobacco International” (JPI). Çmimi i gazetarisë ekonomike “Vangjush Gambeta” është çmimi më i lartë që ndahet në Shqipëri dhe ky është viti i njëmbëdhjetë me radhë ku morën pjesë gazetarë ekonomik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.