“Bild”, ndoshta për të mbrojtur arbitrin gjerman, ka qenë e vetmja e përditshme europiane që ka sulmuar Cristiano Ronaldo-n pas kartonit të kuq të befasishëm të marrë kundër Valencia-s në Champions League. Madje, gjermanët janë tallur me reagimin e numrit 7 të Juventus pas vendimit të marrë nga arbitri gjerman, Felix Brych.
“Të shkulësh flokët dhe të qash deri kur nuk largohesh nga fusha. Zakonisht gjëra të tilla ndodhin në kopësht. Kemi arritur në këtë pikë edhe në Champions League. Bilanci i Cristiano Ronaldo-s në ndeshjen e parë europiane me Juventus është për të ardhur keq: 17 topa të prekur, dy gjuajtje në portë dhe një krizë nervash”.
Fjalë të ashpra, që mund fshehin një shqetësim për karrierën e Brych, i cili vjen edhe nga një eksperiencë zhgënjyese në Botëror, ku ka drejtuar vetëm një ndeshje, atë të fituar 2-1 nga Zvicra kundër Serbisë, me këta të fundit që kanë protestuar shumë për një penallti që nuk u dha dhe për injorimin e sistemit VAR.
Në Valencia, arbitri në fjalë është bazuar te fjalët e gjyqtarit të portës, Fritz, i cili, pasi është pyetur katër herë nga Brych, ka konfirmuar se reagimi i Ronaldo-s ndaj Murillo ishte për karton të kuq. Arbitri kryesor mund të thuhet se ka kaluar një mbrëmje të keqe, siç ka treguar edhe penalltia e paqenë që dha për spanjollët në fundin e ndeshjes.