Disa media botërore këtë të hënë kishin pikasur vetëm protestues të revoltuar në Gaza, por nuk kishin arritur të regjistrojnë vrasës. Gjuha e përdorur në këto media nuk përmban etikën e domosdoshme të raportimit, kurse përgjegjësia ndaj publikut mbetet e ngatërruar në labirintet e ndërgjegjes profesionale
Nga Emin AZEMI
Shtatëdhjetë vite më parë, George Orwell kishte shkruar se gjuha moderne politike “është e dizajnuar që gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta dhe vrasja të respektohet”. Pamjet që u transmetuan ditën e hënë nga Gaza, ku të paktën 60 protestues palestinezë u vranë nga trupat izraelite në shenjë mospajtimi me dislokimin e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, la gojëhapur shumë analistë të mediave për mënyrën e raportimit dhe plasimin e lajmeve e kronikave në gazeta dhe televizione.
Sikundër dihet, palestinezët gjithmonë janë fajësuar në mënyrë sistematike edhe atëherë kur janë vrarë nga izraelitët. Edhe atëherë kur fëmijët palestinezë gjuanin me gurë, kurse ushtarët izraelitë më plumba. Por, ajo çka është më e çuditshme, vrasja ka ndodhur edhe atëherë kur raportimi mediatik ka vuajtur pasojat e njëanshmërisë dhe joobjektivitetit, duke shpikur madje edhe dilema të kota në stilin: A duhej të protestonin palestinezët dhe a kishte në protestat e tyre elemente provokimi? Thuaja se protestat mbahen për të dhuruar trëndafila dhe llokume. Po protestat e dhunshme që jemi mësu t’i shohim nëpër metropolet evropiane, ku mbi kokat e policëve hudhen gurë kalldërmeje, shishe molotovi, goma të djegura – si t’i kualifikojmë ato? A t’i quajmë pjesë baleti, apo ndoshta mund të jenë skena cirku ku elementi i provokimit fshihet prapa buzëqeshjes së klounëve.
Përshkrimi mediatik i ngjarjeve nga Gaza nuk e ka pasur metodologjinë e njëjtë të punës si në zonat tjera të konfliktit. Në Gaza, gazetarët e disa mediave botërore kanë vërejtur vetëm grumbuj protestuesish që po provokonin ushtrinë izraelite dhe për rrjedhojë konflikti kishte degraduar në trajta të përgjakshme. Edhe pse të hënën dhuna e shkaktuar ishte e njëanshme – asnjë izraelit nuk është vrarë – mediat megjithatë raportuan sikur të ishte ndonjë aksident trafiku. Mediat u bënë sikur po shohin një shfaqje me dy skena të ndara me një perde në mes – në njërën anë viktima që përfundonin në tokë pa shpirt dhe, në anën tjetër, një zbrazëtirë, prej ku dëgjoheshin shkrepjet e armëve, por që nuk dukeshin asgjëkund njerëz të uniformuar.
Ndryshe si ta kuptojmë, bie fjala, lajmin e dhënë në formë të një statusi në Twitter që u publikua në New York Times-in: “Dhjetëra palestinezë kanë vdekur në protestat pasi Shtetet e Bashkuara po bëjnë hapjen zyrtare të ambasadës në Jerusalem”. Ata që e lexojnë këtë status, dhe që nuk kanë ndonjë kanal alternatiiv informimi, nuk do ta kenë të qartë se kush i vrau këta protestues dhe kë patën përballë ata.
Kjo fshehje e qëllimshme e të gjithë aktorëve në këtë ngjarje dramatike, sidomos të atyre që shkaktuan vdekje, e bën më të diskutueshëm rolin arbitrar e subjektiv të gazetarëve e redaktorëve në disa media botërore. Për të vërtetuar këtë mjafton të citojmë gazetën “The Washington Post”e cila raportonte se:”Gaza varros të vdekurit e saj, ku numri i të vdekurve në protestën në kufi me Izraelin shënon të paktën prej 60 personave”, por, pa e saktësuar se cilët janë vrasësit e të vdekurve në Gaza? Ngjashëm veproi edhe “The Wall Street Jornal” që kishte publikuar një video në uebsajtin e vet me titull “Përballja mbi ambasadën e re të SHBA-së në Jerusalem la dhjetëra të vdekur”.
Tragjeditë njerëzore bëhen edhe më të llahtarshme kur ato vëzhgohen me pasivitet. Mediat do të duhej të jenë të fundit që të jenë në këtë linjë veprimi. Ato do të jenë të fundit që pasivitetin dhe njëanshmërinë ta kthejnë në praktikë raportimi. Sidomos në ngjarjet që janë transparente, ku publiku ka mundësi të krijoj imazh të drejtpërdrejt mbi zhvillimet në terren, është e tepërt kjo sjellje e dyfishtë e mediave, duke lënë nën hije ato detaje që janë më të rëndësishme.
Disa media botërore këtë të hënë kishin pikasur vetëm protestues të revoltuar në Gaza, por nuk kishin arritur të regjistrojnë vrasës. Gjuha e përdorur në këto media nuk përmban etikën e domosdoshme të raportimit, kurse përgjegjësia ndaj publikut mbetet e ngatërruar në labirintet e ndërgjegjes profesionale. (koha.mk)