Xhenaro Gattuso ringjall Milanin. Gjithçka nisi me merkaton, aty ku kuqezinjtë shpenzuan më shumë se 200 milionë euro. Shpresat për një sezon ndryshe ishin të mëdha. Aventura në “Europa League” nisi shkëlqyeshëm, kampionati po ashtu. Deri në momentin, kur rezultatet pozitive filluan të mungonin dhe katër vendet e para filluan të largoheshin. Moment ky që u pasua me largimin e Vinçenzo Montellës nga stoli i djallit.
Njësoj si para dy sezonesh, stoli iu besua një ishi, Xhennaro Gatussos, i cili më herët kishte drejtuar skuadrën e Pisas dhe të rinjtë e Milanit. Për Gatusson kjo ishte hera e parë që do të drejtonte një skuadër të madhe. I lidhur ngushtësisht me ngjyrat e fanellës së Milanit, i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që do të kishte mbi supe, tekniku u shfaq i bindur se do të arrijë të ringrejë kuqezinjtë. Aventura nisi jo mirë, barazimi ndaj Beneventos i tronditi të gjithë, akoma dhe më e rëndë humbja në Verona 3-0. Gjatë kur luante futboll, Gatusso shquhej për grintën e tij dhe sakrificat në fushën e blertë, tipare këto që po kërkon tia përcjellë skuadrës që ai drejton.
Kthesa e madhe nisi në takimin ndaj Interit në Kupën e Italisë dhe fill pas atij momenti, kuqezinjtë nuk kanë humbur asnjë prej katër ndeshjeve të fundit në kampionat. Vetë, tekniku e pranon që kuqezinjtë nuk janë një skuadër e bukur për t’u parë teksa luajmë, por atij i intereson vetëm të fitojë dhe Milani, po e bën një gjë të tillë. Nuk mund të flitet ende me siguri për të ardhmen, por Xhennaro Gattuso ka arritur t’i perjcellë futbollistëve të tij shpirtin luftarak dhe grintën.