I larguar nga detyra pak kohë më parë, Gennaro Gattuso aktualisht është pa skuadër. Trajneri Italian la skuadrën e Valencia dhe tani është përqendruar te Serie A, ky synon të rikthehet sezonin e ardhshëm.
“Te Valencia kalova disa muaj të jashtëzakonshëm. E dija që po shkoja në një klub që kishte probleme, ku tifozeria ishte kundër presidentit prej 3 sezonesh. Gjithsesi, futbolli më pëlqen dhe isha kurioz të drejtoja një ekip jashtë Italisë”, tha Gattuso për mediat italiane.
Duke folur për Serie A, ai shton: “Këtë vit është shumë kompetitiv. Futbolli ynë ka ndryshuar shumë, nuk është më ai futboll mbrojtës, që presin kundërshtarin e më pas kundërsulmojmë. Ka një vizon tjetër, ndaj më pëlqen të rikthehem këtu. Gjithsesi, të shohim deri në maj”.