Kumanovë, 16 dhjetor – Klubi Futbollistik “BESA” nga fshati Sllupçan i Komunës së Likovës edhe këtë vit organizon turnirin e shtatë me radhë tradicional përkujtimor “Hoxhë Jakup Asipi” – Sllupçan. Tashmë janë regjistruar mbi 30 ekipe të futbollit që do të jenë pjesë e turnirit, ndërsa përveç nga Maqedonia, do të marrin pjesë edhe ekipe futbolli nga Kosova e Presheva. “Intermedika”, KF “Presheva”, “Avdi Mustafa”, “Shkendija”, “Suk-Impex”, “Goblen”, “Rainca”, “Omi-Kom”, Kf “Karadaku” i Lubishtës, “Vllazrimi”, “Liria”, “Aliu”, si dhe shumë ekipe tjera tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Organizatorët e turnirit informojnë se edhe këtë vit nuk do të mungojnë shpërblimet e shumta. Vendi i parë do të shpërblehet me 1500 euro, vendi i dytë 700, ndërsa vendi i tretë 300 euro. Veç kësaj, gjatë çdo ndeshje, si gjithmonë – do të ketë dhe shpërblime për publikun. Turniri do të mbahet në salleën sportive “Faik Konica” në Sllupçan. Paraqitja e ekipeve vazhdon deri ditën e diel, ndërsa pjesëmarrja kushton 100 euro. Gazeta KOHA edhe këtë vit është sponsori gjeneral medial i turnirit në fjalë. (B.K)