Në Tetovë, kohëve të fundit regjistrohen më pak raste të reja të pacientëve me Covid 19. Të sëmurë aktiv në këtë rajon janë 237 persona
Urim HASIPI
Tetovë, 23 shkurt – Shumë shpejt pritet të lëshohet në përdorim spitali modular në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës. Punët janë në fazën e fundit dhe pritet që në një kohë shumë të shkurtër – të shtrohen pacientët në këtë spital të improvizuar. Sipas paralajmërimeve të deritanishme, në këtë spital modular pritet të shtrohen të gjithë pacientët me Covid 19 nga rajoni i Tetovës dhe rrethinës. Kjo, sipas autoriteteve të spitalit të Tetovës, është një zgjidhje më e mirë për personelin mjekësor, por edhe për vet pacientët. Në këtë objekt pritet të trajtohen 35 pacientë, por ajo që është më kryesore, me vënien në funksion të këtij spitali modular, pritet të aktivizohen repartet tjera të cilët deri më tani ishin të destinuara për pacientët me Covid 19.
Gëzim Nuredini, përgjegjës për Qendrën Covid 19 në Spitalin Klinik të Tetovës, pohon se punët pothuajse janë kryer dhe pritet që tashmë i njëjti të vihet në funksion për pacientët e infektuar me virusin korona. “Në repartin infektiv kemi dy pjesë ku pranohen dhe trajtohen pacientët me Covid 19 dhe shpresoj se të gjithë pacientët do të trajtohen në spitalin e ri modular. Por kjo pritet që të shihet gjatë hapjes dhe punës së mëtutjeshme. Për neve si zgjidhje më e mirë do të ishte që të gjithë pacientët të trajtohen në atë spital, por do të marrim edhe mendimin e infektologëve”, thotë Gëzim Nuredini, koordinator i Qendrës Covid 19 në Spitalin Klinik të Tetovës.
Deri më tani, në funksion të pacientëve me Covid 19 ka qenë reparti infektiv në këtë spital. Por edhe repartet tjera kanë funksionuar me restrikcione. Pritet që pas fillimit me punë të spitalit modular për pacientë me Covid 19 të fillojë të normalizohet situata në pjesën tjetër të Spitalit Klinik të Tetovës.
“Një përparësi tjetër mendoj se është që pas lëshimit në përdorim të spitalit modular për Covid 19 është se repartet tjera të mund të fillojnë të punojnë normalisht, sepse deri më tani ka patur restrikcione. Mendojmë që aktivizimi i të gjitha reparteve tjera do të jetë në interes të pacientëve dhe qytetarëve, pasi që ata do të mund të marrin shërbimet që i kanë marrë para se të fillojë pandemia e Covid 19”, thotë Nuredini. Spitali modural, ku punët janë në fazën përfundimtare, do të ketë 35 shtretër dhe pajisjet e nevojshme mjekësore. “Ky spital do të ketë 35 shtretër për pacientët që do të shtrohen, do të ketë laborator, repart intenziv dhe reparte tjera të nevojshme për trajtimin e pacientëve me Covid 19”, njoftoi Nuredini.
Në Tetovë, kohëve të fundit regjistrohen më pak raste të reja të pacientëve me Covid 19. Të sëmurë aktiv në këtë rajon janë 237 persona. Që nga fillimi i pandemisë së korona virusit në Tetovë gjithsej janë regjistruar 5339 persona që janë infektuar me këtë sëmundje. Betejën me këtë sëmundje deri më tani në rajonin më të gjerë të Tetovës e kanë humbur 215 persona. (koha.mk)