Objekti i shtëpisë përmirësuese-korrektuese në Tetovë ka filluar të ndërtohet në vitin 2014 dhe tashmë është gati që të fillojë të funksionojë dhe të pret delikuentët e parë të cilët qëndrojnë në Ohër në kushte jo adekuate
Urim HASIPI
Tetovë, 1 qershor – Pas pothuajse 19 vitesh bredhjesh të miturit nga Tetova që kanë kryer vepra delikte do të transferohen në shtëpinë përmirësuese-korrektuese të re në Tetovë. Deri më tani të miturit nga rajoni i Tetovës dhe më gjerë dënimin për veprat që i kanë kryer i kanë vuajtur në shtëpitë përmirësuese në Shkup dhe në Ohër, në kushte jo adekuate, pasi që kanë qëndruar bashkërisht me të dënuarit tjerë. Por, vite më parë filloi të ndërtohet një objekt i ri në rajonin e komunës së Bërvenicës, respektivisht në atarin e fshatit Vollkovijë.
Tash më objekti i ri I shtëpisë përmirësuese i plotëson të gjitha kushtet dhe mund të lëshohet në përdorim, pasi që është rregulluar rryma dhe uji.
”Janë bërë të gjitha përgatitjet që objekti të lëshohet në përdorim, ndërsa të dënuarit pas pesë vitesh qëndrimi në Ohër, do të mund të transferohen në këtë objekt. Investimi i përgjithshëm arrin vlerën prej 4 milion 137 e 100 mijë euro. Presim që në të ardhmen përmes projekteve të ndryshme nga UNDP-ja, Komiteti i Helsinkit dhe organizata tjera që janë mike e Republikës së Maqedonisë së Veriut të rrisim kapacitetet për të luftuar fenomenin e delikuencës”, tha Jovica Stanojeviç drejtor i drejtorisë për kryerjen e sanksioneve .Objekti i shtëpisë përmirësuese filloi të ndërtohet në vitin 2014, por ndërtimi ishte zhagitur për shkak të mosmarrëveshjeve në popullatën vendase, të cilët nuk dëshironin që të kenë një objekt të këtillë në afërsi të tyre për shkaqe sigurie.
Por, pas gjithë këtyre vonesave, ky objekt duhet që sa më shpejt të jetë funksional, pohojnë drejtuesit e këtij institucioni, pasi që kanë marrë edhe vërejtje nga organizatat ndërkombëtare të cilët kujdesen se sa respektohen të drejtat e delikuenteve të dënuar.”Raportet e organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e kësaj kategorie janë se kjo kategori e të burgosurve është trajtuar në kushte jo humane. Shteti ynë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropoian duhet që të plotësojë kushtet edhe për këtë kategori të qytetarëve të saj dhe si do të jetë raporti I komitetit kundër torturës varet shumë nga reformat në këtë sistem, ndërsa problem në këtë sferë ishte pikërisht trajtimi i delikuenteve”, thotë Zoran Stojanovski, drejtor i shtëpisë përmirësuese-korrektuese në Tetovë.
Ai shpreson se me lëshimin në përdorim të këtij objekt shteti do të tregojë angazhimin e tij për të përmirësuar kushtet e qëndrimit të delikuenteve, të cilët deri më tani janë mbajtur nëpër burgje bashkërisht me të dënuar për vepra të rënda.
Ish objekti i shtëpisë përmirësuese ishte ndërtuar në afërsi të Arabatit Baba Teqe në Tetovë, por me shpërthimin e konfliktit të armatosur në vitin 2001, për shkaqe sigurie delikuentët ishin larguar nga ky vend dhe ishin dërguar në Shkup. Prej atëherë e këndej objekti nuk filloi të punojë kurse tashmë, vendi i këtij institucioni në Tetovë i takon Bashkësisë Fetare Islame e cila arriti që ta kthejë në pronësi të saj në kuadër të procesit të denonacionalizimit. Gjithnjë në të kaluarën organizatat që janë marrë me të drejtat e të burgosurve kanë theksuar se problem kyç në sistemin e drejtësisë është edhe trajtimi i delikuenteve të dënuar pasi që të njëjtit janë mbajtur në objekte bashkërisht me të burgosurit për vepra të rënda. (koha.mk)