Urim HASIPI
Tetovë, 22 shkurt – Më 12 mars në fshatin Bozovcë do të mbahen për të 9 herë më radhë Karnavalet Ilire, shkruan gazeta KOHA. Sipas Neshat Memetit, një nga organizatorët e këtij manifestimi, këtë vit risi është se do të promovohet libri me punimet shkencore nga simpoziumi që u mbajt vitin e kaluar nën organizimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Këshillit organizativ.
“Sivjet, si e veçantë e këtij manifestimi tradicional, do të jetë telejisja e tri nuse ashtu sikurse janë telejisur më parë gjyshet, nënat dhe gratë tona. Kjo është një traditë nga e kaluara, e cila në ditën e shënimit do të përkujtohet dhe të improvizohet. Kjo traditë tashmë në fshatrat e Malësisë së Tetovës nuk praktikohet”, thotë për KOHA, Memedi. Këtë vit pritet që të ketë edhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare që do të marrin pjesë në këtë eveniment të rrallë dhe të vetëm të kësaj natyre në Malësinë e Tetovës.
“Kemi marrë konfirmim nga shumë studiues. Po ashtu, bëjmë apel që edhe institutet e trashëgimisë shpirtërore, të etnografisë, historisë nga Kosova, nga Shqipëria, që të jen pjesëmarrës, sepse edhe ata duhet të thonë fjalën e tyre, pasi ky karnaval është një traditë shumë e lashtë, ngase janë institucione adekuate. Këtë vit do të ketë profesorë nga Universiteti i Tetovës, siç ishte udhëheqësi i tribunës gjatë vitit të kaluar, Fatmir Sulejmani, pra do të ketë edhe shumë risi tjera dhe ftoj të gjithë që të vijnë dhe të kënaqen me kulturën tonë të lashtë”, deklaroi Memeti. Sipas organizatorëve pritet që këtë vit të ketë edhe përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame, si të Tetovës po ashtu edhe në nivel qendror. Sipas Memetit, kjo festë është tradicionale me histori gati 3 mijë vjeçare, që daton nga kohërat e lashta ilire dhe e trashëguar deri tek brezat e rinj, banorët e Bozovcës pavarësisht kushteve të vështira kanë arritur ta ruajnë si traditë. Të veshur me gëzofë dhe lëkurë prej deleje, ata nga 11 e deri më 21 mars, besojnë se do t’i trembin gjërat e këqija dhe shpirtrat e këqij që të qëndrojnë sa më larg fshatit, që të mos dëmtojnë burimet e ekzistencës së banorëve të këtij vendi, pohojnë banorë të këtij fshati.
“Ato janë manifestime autoktone të përcjella brez pas brezi që nga stërgjyshërit tanë, traditë kjo e ruajtur ndër shekuj. Malësia e Sharrit i mbajti gjallë traditën dhe zakonet e popullit tonë që nga kohërat më të vështira, falë këtij tereni shumë të thellë e të pakalueshëm për atë kohë, kur sundimtarët e pushtuesit tanë luftonin për të asgjësuar çdo gjë shqiptare, duke mohuar shkollimin, gjuhën, historinë, kulturën, traditën e ritet si dhe duke i tjetërsuar ato dhe duke i zëvendësuar më kulturë e histori të re, me gjuhë e shkrim të ri”, thekson ai. Karnavalet e Bozovcës, cilësohen si ngjarje e rëndësishme kulturore që reflektojnë traditën shekullore të banorëve të Malësisë së Tetovës. Më parë kjo festë në të njëjtën mënyrë është mbajtur edhe në fshatrat tjerë të Malësisë së Tetovës, si Liseci,Veshalla dhe Shipkovica, por sot kjo organizohet vetëm në Bozovcë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.