Gati paketa e zgjeruar, Rama: e prezantojmë javën e ardhshme, ja kategoritë që përfitojnë

15

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se nga java e ardhshme do të prezantohet paketa e zgjeruar e ndihmës.
Sipas kreut të qeverisë, në këtë listë do të përfshihen edhe punonjësit e kompanive të mëdha me një bonus, në mënyrë që këto kompani të mund të mbajnë punonjësit e tyre.

I ftuar në “Open”, Rama tha se do të trajtohen me një pagesë lufte edhe ato biznese të vogla që nuk janë mbyllur me urdhër qeverie por de fakto janë mbyllur për shkak të pandemisë.

Rama: Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe sot faktikisht kemi disponuar dhe listë-pagesat e kompanive që janë mbi 14 mln lekë të reja xhiro dhe sigurisht që ne nuk do t’i lëmë vetëm, ata që sot janë në shtëpi dhe u është thënë qëndroni për shkak të luftës ose jeni të pezulluar deri kur të mbarojë lufta. Në fillim të javësh së ardhshme do të shpalosim paketën e zgjeruar që do të adresojë hallin e madh të të gjithë atyre që sot që flasim janë në nevojë për ndihmën e shtetit të tyre. Të gjithë ata që sot që flasim mungojnë në listë-pagesat nga biznesi.

Dua tu bëj një thirrje të fortë bizneseve të mëdha që në këtë kohë të ndihen në detyrim për të njohur kontributin e punonjësve të tyre dhe të mos bëjnë lojëra me ta. Besoj që do kemi mundësi të flasim edhe për shumë kërkesa të bizneseve të mëdha që meritojnë një adresim.

Kam dëgjuar sot me keqardhje që Balona Tabake e PD-së është ngritur lartë me një balonë budallëqesh sikur drejtoria e Tatimeve ka refuzuar shumë nga punonjësit që u është premtuar paga e luftës.

Njësitë tregtare do të mbështeten me pagë lufte. Kanë aplikuar shumë biznese të tjera, rreth 15-16 mijë. Është një numër biznesesh të tjera, të cilat nuk janë mbyllur me urdhër, mobileri të vogla, rrobaqepësi të vogla, servise makinash, fizioterapi, lavazhe të licencuara, agjenci turistike, hidraulikë, elektriçistë, që ne nuk i kemi mbyllur por de fakto janë faktikisht pa të ardhura. Këta nuk janë refuzuar për t’u ndihmuar nga ne në këtë aplikim. Do jenë të gjithë taksixhinjtë apo punonjës së linjave urbane do të jenë pjesë e paketës së zgjeruar. Ju them bëni durim. Nuk premtojmë mrekullira. Gjithçka që them do bëhet, do bëhet sikur qielli dhe toka të bëhen bashkë.

Ata që janë plus nuk janë aplikantë të pranueshëm në këtë paketë. Në fillim të javës së ardhshme me paketën e zgjeruar do të adresojmë një për një.

Instrumenti i garancisë sovrane praktikisht është përdorur në të gjithë botën. Jo më larg se sot, Serbia ka nxjerrë paketën e saj. Paketa e Serbisë është absolutisht njësoj. Një mbështetje siç e kemi bërë edhe ne për bizneset e vogla të mbyllura për shkak të rrezikshmërisë, një instrument garancie për kompanitë e mëdha.

Me paketën e zgjeruar të adresojmë drejtpërdrejt punonjësit që nuk punojnë dot për shkak se janë pezulluar apo larguar nga kompanitë me një bonues lufte dhe kështu t’u japim kompanive mundësinë që t’i mbajnë të integruar.

Lufta mund të zgjasë përtej parashikimeve por duhet të përgatitemi për t’u lehtësuar dhe hapur pak nga pak. Është shumë e rëndësishme të përballojmë të gjithë së bashku periudhën nga sot deri në fund të majit. Ky është objektivi, duke pasur parasysh çfarë ndodh në terrenin e vijës së parë sepse aty varet fakti i kësaj lufte.

Garancia sovrane u jep mundësi të gjitha bizneseve që të kenë likuiditet për të përballuar këtë situatë lufte.

Comments are closed.