Një problem më shumë për një klub, që duket në situatë të komplikuar e të vështirë dhe që mund të kthehet në “soap opera” të verës. Fjala është për PSG. Neymar dëshiron të luajë përkrah Cristiano Ronaldos dhe lajmi tashmë ka arritur në zonën fisnike të “Santiago Bernabéu”, e cila vazhdon të punojë ngadalë, para se të mund të inkorporojë brazilianin në skuadrën e Real Madridit.
Në fillim u mendua se sezoni 2019-2020 do të ishte ardhja e mundshme e sulmuesit brazilian, por ngjarjet po precipitojnë për shkak të divorcit të dukshëm mes PSG dhe Neymar, që mbërriti dje në Paris, për t’i dhënë fund riaftësimit.
Drejtuesit e “Los Blancos” mund të kenë dyshime se një bashkëjetesë e brazilianit me Ronaldon mund të jetë e mundur, por ish-lojtari i Barcelonës ka pohuar se e dashuron sfidën e të luajturit së bashku me “Topin e Artë” aktual, sepse kjo do të përbënte sfidë në karrierën e tij, pasi ka luajtur bashkë e pa ndonjë problem edhe me Leo Messin. Edhe ylli portugez nuk do të nxirrte ndonjë problem, duke e pasur Neymar në anën e tij.
CR7 ka kuptuar se ardhja e mundshme e brazilianit do të ishte përmirësimi i nivelit konkurrues të skuadrës. Sa i përket çështjes ekonomike, gjithçka është në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje. Askush nuk dyshon në performancën e portugezit dhe, gjithashtu, pranohet se statusi i tij është i liderit të padiskutueshëm, por vitet kalojnë dhe ato peshojnë në formën e çdo futbollisti, sidomos pas të 30-tave.
Nga “Bernabeu” po tregohet kujdes dhe respekt absolut për PSG dhe drejtuesit e saj. Sidoqoftë, marrëdhëniet midis dy klubeve është bërë mjaft e përkeqësuar, pas asaj që ndodhi në ndeshjen e dytë të raundit të parë të “nokaut”-it në Champions, në Paris. Madrilenët nuk duan përleshje dhe beteja me klubin francez.
Për këtë arsye, tani i takon Neymar të lëvizë dhe të ndërmarrë hapat, që ai beson se janë të nevojshëm për të detyruar largimin e tij të mundshëm nga PSG. Të paktën kjo është ideja që ai u ka përcjellë emisarëve të bardhë. Pa një klauzolë daljeje të pasqyruar në kontratë, ai duhet të analizojë momentin dhe të studiojë mundësinë e përballjes me një operacion edhe më të shtrenjtë se verën e kaluar (222 milionë euro).
E vërteta është se, që nga janari, gjestet e Neymar ndaj Ronaldo dhe Real Madridit janë të përsëritura. Sinjali i parë u dha në gala-në e FIFA-s, ku bëri foto me të sapozgjedhurin “The Best”. Pas kësaj erdhi përqafimi i Ronaldos në “Santiago Bernabeu” dhe tani po pret për të luajtur së bashku me portugezin.