Koreja e Veriut mund të kryejë një tjetër test me një bombë hidrogjeni në Paqësor. Kështu ka lënë të kuptojë ministri i Jashtëm i Phenianit, Ru Yong-ho, duke komentuar pohimet e liderit komunist Kim Jong-un, i cili ka bërë të ditur se është duke konsideruar “aksione të një niveli më të lartë” në përgjigje të presidentit amerikan Donald Trump dhe ndaj kërcënimit të tij për “një shkatërrim total të vendit”. “Mund të jetë shpërthimi më i fuqishëm i bombës me hidrogjen në Paqësor”, ka pohuar Ru Yong-ho, në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke shtuar që “nuk e kam idenë se çfarë aksionesh mund të merren dhe që mund të urdhërohen nga lideri Kim Jong-un”. Pheniani, duke nisur që nga viti 2006, ka kryer një total prej 6 testesh bërthamore, ku i fundit, më i fuqishmi, daton në 3 shtator dhe është cilësuar si një shpërthim i një bombe me hidrogjen. Ndërkohë vazhdojnë përgjigjet dhe kundërpërgjigjet në distancë mes Donald Trump dhe Kim Jong-un. Lideri koreano-verior, e ka cilësuar presidentin amerikan një “të çmendur” dhe ka shtua se do ta paguajë “shtrenjtë” pë kërcënimet e tij ndaj Phenianit. Kim e ka akuzuar mes të tjerash Trumpin se nuk është i aftë për të mbuluar rolin e “komandantit kryesor të një vendi” dhe e ka përshkruar presidentin amerikan si “një bandit, që kërkon të luajë me zjarrin”.