Gates: Pandemia e zmbrapsi përparimin në shëndetin global

16
Pandemia e koronavirusit e ka zmbrapsur përparimin në shëndetin global dhe i ka vënë miliona njerëz në rrezik nga sëmundjet fatale dhe varfëria, thuhet në një raport të Fondacionit Bill & Melinda Gates.
Për shkak të efekteve të pandemisë, varfëria ekstreme është rritur për 7 për qind dhe imunizimi rutinor me vaksina është duke rënë në nivele që për herë të fundit janë parë në vitet 1990, thuhet në raportin e publikuar të martën.
”Është një frenim i madh”, tha miliarderi Bill Gates, bashkudhëheqës i fondacionit dhe financues i shëndetit global.
”Pandemia COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] jo vetëm që e ndaloi përparimin, por e ktheu prapa atë”, tha Gates në një telekonferencë me gazetarët.
Raporti, i titulluar “COVID-19: Një perspektivë globale”, po ashtu konstatoi se pandemia ka pasur ndikim disproporcional te gratë, komunitetet racore, pakicat etnike dhe njerëzit që jetojnë në varfëri ekstreme.
Derisa situata është “e zymtë” tani, Gates tha se është i bindur se bota do të dalë nga pandemia dhe se do të rifillojë përparimin drejt përmirësimit të shëndetit global.
“Pavarësisht nëse na duhen dy vjet, apo edhe tre, ne besojmë se do ta kapërcejmë këtë dhe do të kthehemi në rrugën e duhur”, u tha gazetarëve bashkëthemeluesi i Microsoft-it.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 29 milionë njerëz në gjithë botën.
Prej tyre, mbi 928,000 kanë vdekur dhe afro 20 milionë janë shëruar./evropaelire

Comments are closed.