Martin Skrtel erdhi te Atalanta me shumë bujë dhe si një mbrojtës me eksperiencë që do të ndihmonte bergamaskët në pjesëmarrjen e tyre të parë historike në grupet e Champions League, por u largua pas vetëm 3 javësh me arsyetimin se kishte probleme fizike.
Shkaqet e vërteta të largimit të sllovakut i zbuloi mbrëmjen e djeshme trajneri i Atalantës Gian Piero Gasperini, që pas ndeshjes me Torinon tha se sllovaku e kishte të vështirë të përshtatej me skemat e lojës së bergamaskëve.
“Erdhi me dëshirë te ne, por pas 3 javësh kuptoi se nuk mund të përshtatej në një mbrojtje me tre. Është 34 vjeç dhe e mirëkuptova kur më tha se do ta kishte të pamundur për perfeksiononte lëvizjet në këtë skemë, ndaj edhe u ndamë paqësisht”, tha Gasperini.
Ndërkohë në Bergamo sot ka mbërritur qendërmbrojtësi danez i Sevillas, Simon Kjaer, i cili po kryen vizitat mjekësore dhe nëse gjithçka shkon mirë, do t’i bashkohet skuadrës së Atalantës menjëherë.
Ka qenë vetë Drejtori Sportiv i Sevillas, Monchi që pranoi se është arritur marrëveshja me Atalantën për transferimin e Kjaer dhe se aktualisht pritet vetëm përgjigja e testeve mjekësore e fizike.