Ish-lojtari i Lacios, Pol Gaskoin, është kthyer në vëmendjen e të gjithëve, pas deklaratës së Southgejt, i cili tha se “Gazza” është i vetmi anglez i nivelit botëror i gjeneratave të fundit. Një vlerësim që ka sjellë reagimin e Gaskoin, që tha se donte të luante ndaj Zvicrës, por trajneri iu përgjigj se është tepër vonë.
Në një për “Sun”, ish-futbollisti i famshëm, që ka pasur gjithmonë probleme me alkoolin, ka thënë fjalën e tij për futbollistët e sotëm, duke treguar edhe ndryshimin midis futbollit të kohës së tij dhe atij që luhet sot: “Gjithë këta të rinj, Dele Ali, Jese Lingard, James Madison dhe Phil Foden mund të bëhen lojtarë të nivelit botëror. Por varet prej tyre, sepse duhet të luajnë me buzëqeshje dhe pa frikë.
Çfarë kuptimi ka të stërvitesh 5 ditë radhazi dhe kur të vijë dita e ndeshjes të mos duash të kesh topin, sepse ke frikë nga përgjegjësitë?“. Ndoshta lojtarët sot mendojnë vetëm për paratë dhe për këtë “Gazza” e ka një koment: “Unë luaja për fanellën që mbaja veshur. Kur isha 18 vjeç, fitoja 25 stërlina në javë. Tani lojtarët të së njëjtës moshë fitojnë 50 mijë sterlina në javë. Dhe nëse në moshën 18-vjeçare fiton këtë shifër, ç’rëndësi ka nëse luan mirë apo luan keq?“.
Gaskoin ka zbuluar më tej edhe faktin se ka bërë bamirësi në kohën kur luante futboll, duke shpërndarë dhurata, por pa e bërë të ditur publikisht këtë fakt: “Edhe në kohën time qarkullonin shumë para dhe unë në 10 vjet kam dhuruar një milion sterlina për bamirësi dhe këtë nuk ia kam thënë askujt. Shkoja në orën 4 të mëngjesit për t’u dhuruar 10 mijë stërlina familjeve që të çonin fëmijët e tyre në “Disney World“.
Gaskoin e ka përfunduar intervistën e tij me këto fjalë: “Kur kisha topin, nuk kishte probleme. Për 90 minuta, askush nuk më prekte. Ishte koha ime, që më bënte të ndihesha i lirë. Në fushë doja vetëm që të më kalonin topin, sepse nuk kisha frikë nga asgjë”.