Shkup, 4 korrik – Kryetari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve i ka dërguar telegram urimi ambasadorit Xhes Bejli.
“I nderuari ambasador i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Xhes Bejli.
Dita e 4 korrikut, përveç kuptimit të saj historik kur është miratuar Deklarata e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), për shqiptarët, dhe në përgjithësi për popujt që jetojnë në trojet e Ballkanit, kjo festë paraqet ditën kur ne përveç urimeve për Ditën e Pavarësisë shprehim edhe falënderimet dhe mirënjohjen tonë për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Përcaktimi i shqiptarëve për integrimin euro-atlantik dhe për mishërimin e vlerave demokratike është një rrugëtim që nuk ka alternativë tjetër. Andaj, edhe një herë dua ta ndaj me ju bindjen e plotë se periudha që pason do e dëshmojë më së miri se miqësia shqiptaro-amerikane do të vazhdojë të forcohet”, thuhet në telegram urimin e kreut të Besës, Afrim Gashi.