Kryetari i Lëvizjes Besa, dega e Shkupit, Afrim Gashi dje me kërkesë të tij realizoi takim me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në selinë e PDSH-së në Tetovë. Siç citohet në njoftimin zyrtar, Gashi shoqërohej nga Sulejman Hodai, kryetar i degës së Tetovës dhe Bejtulalh Demiri, ish anëtar i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, ndërsa u pritën nga kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Qëllimi i takimit ishte që të vendoset komunikim normal dhe konstruktiv, që është një parakusht edhe për realizimin e interesit të përgjithshëm kombëtar.
Në takim është konstatuar se viti 2018 është një vit i rëndësishëm për vendin, sepse ky duhet të jetë viti i kthesës, prandaj të dy kryetarët kanë konstatuar se pavarësisht dallimeve politike që mbeten mes subjekteve politike shqiptare, për shqiptarët e Maqedonisë anëtarësimi në NATO është një detyrim, për të cilin duhet të angazhohen të gjithë njësoj. Siç njoftojnë nga “Lëvizja BESA”, takime të këtilla kryetari Gashi në ditët në vijim do të realizojë edhe me kryetarët e partive të tjera politike në vend.