Prishtinë, 3 janar – Avokati i Prishtinës Toma Gashi deklaroi se Gjykata Speciale ka thirrur në pyetje disa persona, ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se të gjithë kanë statusin e të dyshuarve.
Gashi për “Zëri online” deklaroi se të gjithë të ftuarit në pyetje, emrat e të cilëve janë publikuar, janë thirrur si të dyshuar për krime të kryera ndaj serbëve gjatë konfliktit në Kosovë.
“Të gjithë që janë thirrur në Hagë, edhe pse këtë nuk e thonë, janë thirrur në cilësinë e të dyshuarve, e jo të dëshmitarëve, ndërsa pas deklaratave të tyre Prokuroria mund të kërkojë të arrestohen”, deklaroi Gashi.
Ai shtoi se të gjithë mirë e din në çfarë cilësie janë thirrur dhe cilat janë të drejtat e tyre.
“Prokuroria me ftesat dërgoi edhe letra në të cilat kërkohet dokumentacion përkatës”, tha Gashi, duke shtuar se të gjithë të ftuarit do të merren në pyetje në Hagë, e jo në Kosovë.
Ai vlerëson se ky vit do të jetë vit i Gjykatës Speciale.
Paraprakisht u bë e ditur se ftesa për t’u marrë në pyetje kanë marrë ish komandantët dhe pjesëtarë të UÇK-së, Rustem Mustafa, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, Sami Lushtaku, Remzi Shala dhe Safet Shala.