Shkup, 18 prill – Deputeti Afrim Gashi, i cili e kryeson njërën degë të Besës, sot deklaroi se janë një hap në hyrjen në Qeveri dhe nëse kjo me të vërtetë ndodh pikërisht ata do të jenë syri i zgjuar i Qeverisë, posaçërisht në pjesën e korrupsionit.
Gashi konfirmon se kanë pasur disa takime me kryeministrin Zoran Zaev, por thotë se kryeministri e ka fjalën e fundit dhe se duhet të zgjedhë midis dy degëve të Besës.
“Mendoj se kryeministrit nuk i nevojiten probleme të jashtme që të hynë në Qeveri. Mendoj se ai duhet të zgjedhë midis dy degëve të Besës”, tha deputeti duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se nëse është e mundur që të dy degët të hynë në përbërjen e Qeverisë.
Pohon se nuk kanë biseduar për vend ministror në drejtësi, duke potencuar se ata kanë kuadro për të gjithë institucionet.
Deputeti Gashi mori pjesë në takimin e sotëm me eurokomisarin Han në dorëzimin e Raportit dhe tha se ai u ka transmetuar lajmin e mirë për rekomandimin, dhe se edhe pse në opozitë Besa ka dhënë maksimum që ajo të ndodhë. Marrja e datës në qershor, për të është shenjë e mirë për shtetin.
Lidhur me çështjen për emrin, thotë se ata janë për zgjidhje dinjitoze, që nuk do të prekë në identitetin e maqedonasve.
“Jemi dakord me referendum, nëse vjen deri në një marrëveshje të tillë mund të ndryshojë edhe Kushtetuta, por e rëndësishme është që ajo të mos prekë në identitetin e maqedonasve”, tha Gashi.
Ai e udhëheq degën në të cilën janë edhe deputetët Nexhbedin Kahremani dhe Rexhep Memedi, ndërsa në degën e Bilall Kasamit janë deputetët Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli.