Shkup, 11 janar – Tash kur është aktual roli i deputetëve për ndryshimet e pritura kushtetuese, ndërsa dy deputetë, të ardhur dikur nga një parti tjetër në Lëvizjen BESA e kundërshtojnë këtë proces, kërkojmë nga mediat që të kenë mirëkuptim për këto dallime dhe gjithnjë kur duhet të flasin për qëndrimin KUNDËR të këtyre deputetëve, t’i apostrofojnë përmes emrave të tyre të përveçëm ose përmes fraksionit që ata e përfaqësojnë. Kështu thuhet në një reagim të deputetit Afrim Gashi, duke lënë të kuptohet se tre deputetët e partisë së tij, nuk do të mbështesim amendamentet e opozitës shqiptare, konkretisht ato të Aleancës për Shqiptarët dhe BESËS së Bilall Kasamit.
“Me këtë rast, ne edhe një herë rikonfirmojmë se Lëvizja BESA me tre deputetët e saj mbetet e përkushtuar fuqimisht në miratimin e ndryshimeve kushtuese dhe anëtarësimin e vendit në NATO, duke besuar se kështu realizohet edhe një pjesë e programit tonë, por edhe një interes madhor i shqiptarëve në Maqedoni, që është edhe interes strategjik i shtetit”, thotë Gashi, pa u përgjigjur konkretisht nëse i mbështet ose jo .
Megjithatë, ndryshe nga Gashi, mbrëmë, zëdhënsi i partisë, Orhan Murtezani në një postim në profilin e tij në Facebook, shkroi se kryetari Afrim Gashi dhe deputetët Nexhbedin Kahremani dhe Rexhep Memedi, i mbështet të gjitha kërkesat e shqiptarëve. Madje, Murtezani shkruan se pavarësisht kush i artikulon kërkesat e shqiptarëve, janë të pranueshme për Gashin me dy deputetë të tij.
“Një sqarim për opinionin: Lëvizja BESA, kryetari Afrim Gashi dhe deputetët Nexhbedin Kahremani dhe Rexhep Memedi, i mbështet të gjitha kërkesat e shqiptarëve, pavarësisht se kush i artikulon ato, njësoj siç është e përqendruar edhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO është vetëm Rusia”, shkruan Murtezani.
Reagimi i Murtezanit erdhi pasi ditë më parë, as Gashi por as dy deputetët e kësaj lëvizje politike nuk u prononcuan nëse do të pranojnë kërkesat e opozitës shqiptare, ndërsa pati reagime të shumta në elektoratin shqiptarë lidhur me heshtjen dhe mbështetjen pa kushte të Gashit për ndryshimet kushtetuese. (koha.mk)